TEL AVIV, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Rripi i Gazës nuk duhet të lihet me një vakum pushteti dhe një “forcë shumë e fortë” duhet të qëndrojë atje për të parandaluar ringritjen e organizatës terroriste islamike Hamas, tha presidenti izraelit, Isaac Herzog për “The Financial Times”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha më herët se Izraeli do të ruajë kontrollin e sigurisë në Gaza edhe pas luftës.
Duke komentuar numrin e lartë të viktimave në operacionin ushtarak izraelit në Rripin e Gazës, Herzog tha se ai është i shqetësuar për vdekjet palestineze, por Izraeli duhej të mbronte popullin e tij mbi të gjitha.
Qëllimi kryesor i Izraelit për momentin është të lirojë rreth 240 pengje të mbajtura nga Hamasi dhe terroristët e tjerë.
“Komuniteti ndërkombëtar e kupton se Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje”, tha Herzog.
Për sa i përket situatës së pengjeve, Herzog tha se Izraeli nuk kishte marrë asnjë informacion rreth tyre, kështu që duhej të luftonte për t’i marrë ata.
Ai pranoi situatën e përkeqësuar humanitare në Gaza dhe tha se Izraeli po bën përpjekje të forta për të lehtësuar ndihmën, ndërsa vuri në dukje se ajo është një zonë lufte. //a.i/