TAJPEI – Një delegacion jozyrtar amerikan takohet me presidenten Tsai dhe presidentin e zgjedhur Lai

by admin
Spread the love

TAJPEI, 15 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen tha të hënën se një vizitë e një delegacioni joformal të SHBA menjëherë pas zgjedhjeve në Tajvan është “me rëndësi të madhe”.

Presidenti i zgjedhur Lai Ching-te nga Partia Demokratike Progresive (DPP) në pushtet fitoi të shtunën garën me 40,2% të votave.

Ai do të betohet më 20 maj.

Gjatë takimit të së hënës në zyrën presidenciale, Tsai theksoi se vizita e grupit amerikan është e një rëndësie të madhe, “jo vetëm duke demonstruar plotësisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Tajvanit, por gjithashtu duke theksuar partneritetin e ngushtë dhe të fortë midis të dyve vendeve tona”, thuhet në deklaratën e zyrës së saj.

Sipas Institutit Amerikan në Tajvan (AIT), ambasada ”de facto” e SHBA në Tajpei, grupi mbërriti në Tajpei të dielën.

Delegacioni përfshin ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Stephen Hadley, ish-zëvendës sekretarin e Shtetit, James Steinberg dhe kryetaren e AIT, Laura Rosenberger.

Headley i tha Tsait se vizita e tyre në Tajvan është për të riafirmuar se angazhimi i SHBA ndaj Tajvanit është i fortë, parimor dhe dypartiak, sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e Tsai.

“Ne gjithashtu presim me padurim të vazhdojmë marrëdhëniet Tajvan-SHBA nën udhëheqjen e qeverisë së re dhe të ruajmë së bashku paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”, tha Headley.

Delegacioni i SHBA shkoi gjithashtu në selinë e DPP për të përcjellë urimet për Lai dhe partnerin e tij në drejtimin Hsiao Bi-khim, ish-i dërguar i Tajvanit në SHBA.

Lai u tha delegatëve amerikanë se ai do të vazhdojë të drejtojë vendin mbi bazën e vendosur nga presidentja Tsai.

“Shpresojmë që SHBA të vazhdojnë të mbështesin Tajvanin”, tha Lai.

SHBA-ja është e detyruar ligjërisht të mbështesë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit për shkak të Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin e vitit 1979.

Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron ishullin e vetëqeverisur si territorin e saj./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like