Tahiri: Transparenca e llogaridhënia për taksat e qytetarëve nuk janë çështje disponimi por kusht e shtyllë për demokraci

by admin
Spread the love

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka
thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka bllokuar nga muaji mars formimin e
Komisionit Hetimor.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se përkushtimi
i tyre për transparencë e llogaridhënie rreth kësaj çështje legjitime dhe të
drejte kushtetuese, nga sot do të arrijë të jetësohet.

Postimi i plotë i tij:

Transparenca e llogaridhënia për taksat e qytetarëve nuk
janë çështje disponimi por kusht e shtyllë për demokraci. Që nga muaji mars,
pushteti ka bllokuar në vazhdimësi kërkesën tonë për themelimin e Komisionit
Hetimor Parlamentar për hetimin e dyshimeve të bazuara e tashmë të njohura mirë
për publikun, rreth menaxhimit të periudhës së krizës energjetike, me kërkesë
për transparencë dhe llogaridhënie për 125 milionët e ndarë nga qeveria, si dhe
për bazën mbi të cilën është rritur çmimi i energjisë elektrike.

Megjithatë, ne kemi qenë këmbëngulës në kërkesën tonë dhe ia
kemi bërë të qartë pushtetit se këto dy shtylla vitale të demokracisë nuk mund
të sabotohen, pavarësisht se mbi çfarë numrash qëndron ky pushtet.

Përkushtimi ynë për transparencë e llogaridhënie rreth kësaj
çështje legjitime dhe të drejte kushtetuese, nga sot do të arrijë të jetësohet.
I falënderoj deputetët e opozitës për mbështetjen e pakusht për të mundësuar
themelimin e komisionit hetimor. Me jetësimin e këtij komisioni, qytetarët do
të kenë mundësi për të parë nga afër se si janë shpenzuar taksat e tyre gjatë
kësaj periudhe dhe mbi çfarë baze e për llogari të kujt është dyfishuar çmimi i
energjisë elektrike.

Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet dhe mbështetjen tuaj
në këtë agjendë për transparencë e llogaridhënie.

You may also like