“Superkupa ishte objektivi i parë”, Lautaro ngre trofeun e parë si kapiten: Çfarë krenarie, tani dimë si luhen finalet

by admin
Spread the love

Një gol sa një trofe, po jo vetëm. Rrjeta e Lautaro Martinezit shërbeu jo vetëm për të sjellë në Milano trofeun e Supekrupës së Italisë, por i shërbeu edhe vetë argjentinasit për të ngritur në qiell trofeun e parë të tij si kapiten i zikaltërve dhe për të mbërritur rekordin e Kristian Vierit.

Në Riad “lojtari i ndeshjes” mbërriti në kuotën e 123 golave me fanellën e Interit duke u renditur në vendin e nëntë të golashënuesve më të mirë të historisë zikaltër. Festë dhe krenari pas ndeshjes për 26- vjeçarin që nuk fshehu gëzimin, por as përgjegjësinë për të mbajtur skuadrën me këmbë në tokë.

Kulmi i një ndeshjeje shumë të komplikuar? Sa peshon trofeu?

E dinim që Napoli ishte një kundërshtar i denjë që na vuri në vështirësi, por e merituam. Peshon shumë, ishte objektivi i parë i sezonit. Finalet luhen ndryshe, ne e kuptuam, besuam deri në fund dhe mendoj tashmë dimë t’i luajmë finalet. Jam krenar për skuadrën.

Sa i rëndësishme është ky trofe për ecurinë drejt kampionatit?

Shumë, kalendari mund të mos jetë në favorin tonë, por ne duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Jam shumë i lumtur, sot ishte e rëndësishme të fitonim këtë trofe pas largimit nga Kupa e Italisë. Tani duhet të kthehemi në Milano, të festojmë, por nga nesër (sot) do të mendojmë për Fiorentinën me të cilën do të jetë e vështirë.

Lidershipi juaj është rritur, nga e merrni këtë forcë?

Nuk e di, janë shokët e mi të skuadrës që më japin forcën për të vazhduar në maksimumin tim dhe më bëjnë të ngre nivelin tim. Kjo është e rëndësishme, unë them gjithmonë që nuk duhet të relaksohemi sepse të gjithë duhet të jemi gati. Jam i lumtur që e ngrita këtë trofe si kapiten dhe që kam shokë si ata.

Trofeu i parë si kapiten. Çfarë fjale zgjidhni për ta përshkruar?

Fjala është padyshim sakrificë sepse ne bëjmë shumë çdo ditë për të ngritur nivelin. Duhet t’i japim vazhdimësi punës. Interi duhet të qëndrojë aty ku e thotë historia.

123 gola me fanellën zikaltër. Keni arritur Vierin, si ndiheni?

Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam arritur një të madh si ai. Por duhet të vazhdoj sepse qëllimet personale kanë rëndësi, por relativisht.

NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL

You may also like