STRASBURG – Tre kandidatë në garë për kreun e Këshillit të Evropës

by admin
Spread the love

STRASBURG, 11 janar /ATSH-AFP/ – Tre zyrtarë, përfshirë komisionerin aktual evropian për Drejtësinë, Didier Reynders dhe ish-presidentin zviceran Alain Berset, janë kandidatë për të pasuar kroaten Marija Pejcinoviç Buriç në krye të Këshillit të Evropës, njoftoi sot KiE.

Sekretarja e përgjithshme që nga viti 2019 e Këshillit, vëzhguese për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në kontinent, zonja Buriç, ish-ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë, nuk ka dashur të kandidojë më.

Mandati i saj, i cili përfundon shtatorin e ardhshëm, u shënua nga kriza me Rusinë, që rezultoi me përjashtimin e Moskës në mars 2022 nga Këshilli i Evropës, një vendim historik i marrë menjëherë pas shpërthimit të luftës kundër fqinjit të saj ukrainas.

46 shtetet e organizatës evropiane me qendër në Strasburg kishin afat deri të mërkurën për të propozuar kandidatin e tyre.

Këta janë përgjithësisht ish-ministra të Jashtëm ose ish-kryeministra.

Liberali Didier Reynders, 65 vjeç, i cili mbante portofolin e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme në Belgjikë, kishte qenë tashmë një kandidat kundër Buriçit në 2019.

Socialisti Alain Berset, 51 vjeç, sapo është larguar nga presidenca e Konfederatës Zvicerane në fund të dhjetorit pas një mandati pesëvjeçar.

Gjithashtu një kandidat tjetër, estonezi Indrek Saar, një socialdemokrat 50-vjeçar, ishte ministër i Kulturës midis 2015 dhe 2019.

”Komiteti i Ministrave do të organizojë intervista të veçanta me tre kandidatët në mars 2024 dhe do të vendosë për listën përfundimtare të kandidatëve që do t’i transmetohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), organi parlamentar i Këshillit”, tha Këshilli i Evropës.

Një institucion që bashkon 46 shtete anëtare nga kontinenti evropian, misioni kryesor i Këshillit të Evropës është të mbrojë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke u mbështetur veçanërisht në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), ligjin përfundimtar rekurs për të gjithë qytetarët evropianë, dhe në punën e vëzhgimeve dhe rekomandimeve të komisioneve të specializuara, për shembull në parandalimin e torturës ose luftën kundër korrupsionit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like