Sot dita e Holokaustit, OKB: Jo vetëm kujtesë, të parandalojmë çdo akt gjenocidial

by admin
Spread the love

Nëntorin e vitit 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

“Holokausti, në të cilin u vranë një e treta e popullit hebre dhe anëtarë të panumërt të pakicave të tjera, do t`u shërbejë gjithmonë të gjithë njerëzve si paralajmërim nga rreziku i urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit”, u tha atëherë.

“Kujtimi, tha sekretari i atëhershëm i përgjithshëm Kofi Anan, është edhe një parandalim për të ardhmen. Ferri, që u ngrit në kampet naziste të vdekjes, filloi me urrejtje, me paragjykime dhe antisemitizëm. Kujtesa e këtyre zanafillave na ndihmon që të mbajmë gjithmonë sytë hapur ndaj shenjave paralajmëruese”.​​ Nga holli i Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, tani u përcoll një mesazh i ngjashëm.

“Nga krimet e nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre e deri tek krimet e Kamasit dhe Islamit radikal sot, ideologjia genocidiale e shfarosjes së hebrenjve mbetet njësoj. Kjo e sotmja nuk është vetëm një ditë kujtese, është po ashtu një ditë e konceptuar për parandalimin e akteve të mëtejshme të genocidit, për të nxjerrë mësime nga Holokausti që kurrë të mos heshtim”, tha Gilad Erdan, ambasador i Izraelit në OKB.

Më 27 janar 1945 Ushtria e kuqe sovjetike çliroi kampin famëkeq nazist të përqendrimit dhe të shfarosjes Aushvic-Birkenau. Ushtarët gjetën disa të mbijetuar, rrënoja të dhomave të gazit, të vdekur dhe hirin e të vrarëve. Vetëm në Aushvic u vranë rreth 1,1 milion njerëz. Shumica e tyre, rreth 90 për qind, ishin hebrenj dhe Aushvici ishte vetëm njëri nga vendet e shumta të internimit dhe vrasjeve masive nga Gjermania naziste në Evropë.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në 1945 humbën jetën më shumë se gjashtë milionë hebrenj, qindra mijëra sinti dhe romë, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë, njerëz që u përndoqën si homoseksualë, kriminelë apo “asocialë”, punëtorë me detyrim, të burgosur lufte, dëshmitarë të Jehovait dhe persona të tjerë.


Top Channel

You may also like