“Silvinjo po bën një Shqipëri të frikshme”, ish-mbrojtësi Zmijani: Kujdes me euforinë, e kemi çakmakun te koka (E PLOTË)

by admin
Spread the love



Get it on Google Play

Një Kombëtare, ndër më të mëdhatë”, ky është mendimi i Hysen Zmijanit për situatën që po kalon sot ekipi përfaqësues. Legjenda shkodrane, që ka dhënë një kontribut të madh me fanellën kuqezi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, analizon ndeshjet e fundit të ekipit kombëtar, punën e trajnerit Silvinjo dhe atë që i ka bërë përshtypje atij nga fitoret me Çekinë, Poloninë dhe Bullgarinë.

Megjithatë, ish-mbrojtësi i djathtë i Kombëtares thekson se lojtarët duhet të vazhdojnë të jenë me këmbë në tokë, sepse ky unitet që kanë krijuar do të vazhdojë të gëzojë dhe të ngrohë tifozët. Zmijani gjithashtu jep një koment edhe për Armando Brojën dhe qasjen e tij në Kombëtare.

Dy fitore në ndeshjet e tetorit, si duket kjo Kombëtare në sytë e Zmijanit?

Një Kombëtare e habitshme me thënë të drejtën dhe po na gëzon. Një Kombëtare ndër më të mëdhatë dhe kemi filluar t’i themi vetes që jemi të padiskutueshëm në Europian. Ky ekip po na ngroh. Edhe ndeshja e fundit miqësore, që për më tepër ishte për trajnerin, por lojtarët u angazhuan në maksimum.

Shoh njëfarë uniteti, kënaqësie, cilësie të madhe, një besim te vetja dhe te shokët, dhe kështu lirohen dhe detyrimisht që japin maksimumin. Sigurisht që vijnë nga skuadra të mëdha, ndërsa më parë kanë qenë nga kampionati shqiptar dhe tani nga kampionati vendës nuk ka asnjë. Krahasimet nuk bëhen pasi çdo gjeneratë ka ato të vetat. Por, ky ekip po na gëzon edhe nga loja.

Po punën e trajnerit si e gjykoni, e prisnit një ndryshim të tillë?

Ka sjellë dy lojtarë që nuk kanë qenë. I ka parë me sytë e tij, si Asanin dhe Mitajn. Janë dy nga lojtarët më të mirë në këto kualifikuese, por edhe Daku shumë lojtar i mirë. Kjo Kombëtare po na jep një spektakël, sepse më parë hynim në fushë për të mos pësuar gola e mos u diskretituar, por tani hyjmë në fushë për të fituar.

Mund të themi se ishte një zgjedhje e guximshme e trajnerit pasi një mbrojtës si Balliu është luks ta kesh në stol?

Ka pasur guxim dhe po e provon vetë skuadrën me mënyrën e tij të lojës. Ndoshta më parë nuk kemi pasur guxim që të luanim në front të hapur. Kurse sot po luajmë me ekipe të mira, si Çekia dhe Polonia, që janë emra të mëdhenj. Një Shqipëri që po bëhet e frikshme dhe kemi arritur diçka fantastike.

Cili është çelësi i suksesit, sipas jush, deri tani, për këtë Kombëtare?

Trajneri ka gjetur një bazë, i ka çuar te mënyra e tij e lojës dhe i ka zgjidhur problemet. Kemi një mesfushë, të cilën ka vite që nuk e kemi parë. Një sulm jo të kënaqshëm, por jemi duke bërë gola fantastikë nga krahët. Baza është mesfusha. Ka bërë diferencën në këto ndeshje dhe patjetër që është mbrojtësi i majtë Mitaj. Një fantazi loje që duket sikur ka 70 ndeshje me ekipin kombëtar.

Në lidhje me Brojën, u grumbullua, por një shqetësim në gju nuk e lejoi të ishte në fushë, a duhet që të qëndronte me ekipin në Tiranë dhe a do të kemi probleme në të ardhmen, pasi një sulmues i tillë me të drejtë nuk është i kënaqur me stolin, por nga ana tjetër edhe trajneri ka arritur deri këtu pa të…

Kemi dy krahë që kanë të drejtë, por trajneri ka më shumë. Lojtarët shohin pak më shumë veten. Janë krahasime të mëdha, shikimi i një lojtari me vetveten dhe shikimi i një trajneri me 25 lojtarë. Janë disa gjëra largpamëse të trajnerit, pavarësisht se Broja është një lojtar shumë i mirë, për ta pasur lakmi të gjithë dhe është i domosdoshëm për Shqipërinë.

Sigurisht që ka një luhatje sulmi me Cikalleshin, që edhe orët e tij në Kombëtare kam frikë se i kanë mbaruar, duke parë Brojën mbrapa, por jo se po luan keq. Ai po vrapon shumë, po lufton, por duke parë Uzunin, Brojën e Dakun… Ky trajner po na lë me shpresë që ne sulmojmë, që kemi një mbrojtje “betoni” mbrapa. Janë disa gjëra që po kompletohen dhe po krijojmë një ekip që është vështirë të vendosësh dorë. Por, ai është duke e provuar dhe po i dalin shumë mirë.

Mund të themi se Silvinjo është një “bast i fituar”?

Ka ardhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe duhet ta lavdërojmë për këtë. Gjithashtu duhet të themi që kemi një gjeneratë fantastike. Ndonjëherë është edhe shansi, por edhe shansin e bën një herë, por është edhe se si shansin e kërkon, por jo për çdo herë shansi me ne. Kjo Kombëtare është duke na dhënë njëfarë larmie. Ndërsa më përpara edhe futboll nuk dinim të luanim. Edhe nuk kemi luajtur shumë. Aq ka qenë kapaciteti sa më përpara kemi pasur frikë të luanim me Bullgarinë apo Çekinë ose Poloninë, tani ne po i rrahim

Bullgaria, e kishit menduar aq dobët?

Por edhe Çekia nuk kishte asgjë. Pastaj Bullgaria ishte katastrofë komplet. Nuk ishte në rangun tonë. Duke parë edhe Çekinë, ne kemi emra dhe nuk është si më përpara që fundoseshim sa shikonim Mateusin apo Klismanin. Sot ne kemi emra që luajnë në të gjithë Europën.

A janë ulur ndjeshëm diferencat mes kombëtareve të mëdha dhe të tjerave?

Patjetër. Janë ngushtuar shumë dhe ne po dalim tek ajo që nuk kemi frikë më. Hyjmë në fushë si të barabartë, ndërsa më përpara ne hynim si inferiorë dhe ka qenë ndonjë rastësi kur kemi luajtur mirë apo kemi marrë rezultate, por me raste të pakta. Ndërkohë tani, diferenca është shumë e vogël me lojtarët e tjerë, pasi edhe me klubet e tyre po luajnë kundër futbollistëve të mëdhenj.

Nëse vazhdojmë me këtë pasion, shpirt luftarak, mund të tentojmë më shumë në Europian nëse kualifikohemi?

Ndonjëherë ne shqiptarët i kemi hapat shumë të mëdhenj dhe duam të shkojmë sa më lart. Jo se nuk kemi cilësi, por janë disa gjëra që nuk janë të lehta për t’u thënë dhe të vështira për t’u realizuar. Ne duhet të shkojmë gradualisht, edhe pse këtë vit kemi bërë hapa galopantë me një skuadër fantastike dhe me një trajner në kohën e duhur, mos t’i kërkojmë ato finale, sepse aty janë ekipe që japin 200%.

Po me këtë grup lojtarësh, mos ndoshta duhet ta bëjmë rrugë këtë punën e kualifikimit në këto kompeticione të mëdha?

Unë mund të flas për ato që kemi parë këto ndeshjet e fundit, ku kemi 5 fitore e një barazim. Deri dje kemi thënë që Polonia është e frikshme dhe të vjen të mposht, por ndikojnë shumë gjëra dhe ne po ua bëjmë hyzmetin të gjithave. Pashë diçka ndeshjen e fundit me Bullgarinë që po teprohej nga disa lojtarë me mbajtjen e topit, edhe pse miqësore, nuk duhet të përsëritet, sepse nuk duhet të shkojmë te ajo pjesë, se futbolli të ndëshkon, të zhgënjen, edhe çakmakun si shqiptarë e kemi në kokë.

Dy veta po e prishën, hidhet poshtë çdo gjë. Por, ky trajner po krijon një ekip, po aktivizon ata që e meritojnë, po lë edhe në stol lojtarë që vlejnë shumë si Uzuni. Është duke e menaxhuar mirë. Tani jemi vetëm në ngjitje me këtë trajner, por duhet të shohim edhe më vonë si do ta menaxhojë dhe pastaj mund të flasim, sepse në futboll edhe humbjet janë të padiskutueshme. Çdo skuadër pëson të tilla. Shqiptari është gati gjithmonë për të kritikuar… Jemi Shqipëria, 3 milionë banorë, nuk jemi Gjermania që aq i ka futbollistë. Duhet të kuptojmë disa gjëra.

PANORAMASPORT.AL

You may also like