Si na i merr mendtë një lajm i rremë

by admin
Spread the love

Një shembull i lajmeve të rreme që përhapen me shpejtësi në mediat sociale, mund të jetë një histori e fabrikuar për një figurë publike, apo një ngjarje të rëndësishme. Ja një skenar hipotetik:

Postimi fillestar dhe përhapja virale:

Një përdorues poston një lajm në një platformë të mediave sociale, duke pretenduar se një personazh i njohur ka bërë një deklaratë fyese. Ky postim përfshin një video të edituar ose një citim të shkëputur nga konteksti, për ta bërë pretendimin të duket i besueshëm.

Lajmi është i bujshëm dhe mbi të gjitha, provokues. Ai nxit reagime të menjëhershme. Njerëzit fillojnë ta ndajnë postimin pa e marrë mundimin për ta verifikuar vërtetësinë e tij.

Brenda disa orësh, lajmi merret nga shumë përdorues në platforma të ndryshme të mediave sociale. Kthehet në trend, me mijëra shpërndarje, pëlqime dhe komente.

Reagimi dhe përforcimi:

Lajmi apo artikulli përforcohet më tej pasi merret nga blogjet në internet dhe mediat më të vogla të lajmeve, të cilat kërkojnë të përfitojnë nga kjo temë e kthyer në trend. Si të përfitojnë? Duke i bërë njerëzit që të klikojnë mbi lajmin dhe duke shtuar kështu numrin e vizitorëve në blogun apo faqen e tyre online.

Njerëz të famshëm, influencues dhe figura publike, që mund të kenë rënë pa dashje viktima, apo mund ta bëjnë në mënyrë të qëllimshme për të përfituar, mund të reagojnë ndaj artikullit në platformat e tyre, duke e përhapur edhe më shumë tek ndjekësit e tyre.

Shpërndarja e shpejtë çon në një efekt orteku në hapësirën online. Falë gjithë këtyre shpërndarjeve, reagimeve të llogaritura apo edhe emocionale, lajmi përhapet tek një një audiencë të gjerë në demografi dhe rajone të ndryshme.

Kontrolli i vonuar i fakteve:

Kontrolluesit e fakteve dhe agjencitë, mediat apo portalet e besueshme të lajmeve fillojnë të hetojnë mbi këtë artikull për të mësuar më shumë mbi vërtetësinë e tij. Ata zbulojnë se videoja është e edituar qëllimisht ose citimi është nxjerrë jashtë kontekstit në të cilin është thënë.

Personi i famshëm që është në qendër të gjithë kësaj “furtune” bën një reagim publik duke e mohuar atë që është raportuar deri më tonë, duke dhënë njkohësisht prova që artikulli është i gënjeshtërt.

Korrigjimi dhe ndikimi i mangët:

Mediat serioze dhe të besueshme nisin të postojnë artikull që korrigjojnë lajmin e gënjeshtërt, që vënë në dukje marifetet e përdorura për ta bërë atë të besueshëm, duke sjellë edhe faktet, por këto artikuj seriozë nuk marrin aq shumë pëlqime dhe nuk ndahen aq shumë sa lajmi i gënjeshtërt fillestar.

Pavarësisht zbërthimit që i bëhet mashtrimit në themel të lajmit fillestar, një segment i audiencës në mediat sociale, ose nuk e sheh informacionin e korrigjuar, ose zgjedh që ta injorojë atë, për shkak të paragjykimeve që kanë në kokë dhe që i bëjnë të jenë të prirur të besojnë atë që thuhej në lajmin e gënjeshtërt, edhe pse ai është demaskuar.

Pasojat afatgjata

Pavarësisht gjithë përpjekjeve (të vonuara) për të nxjerrë në dritë të vërtetën, reputacioni i personazhit të famshëm mund të pësojë një goditje të fortë, për shkak se një pjesë e njerëzve nuk duan të dëgjojnë dhe duan të vazhdojnë të besojnë lajmin e gënjeshtërt që u përhap aq shpejt.

Pavarësisht përpjekjeve të mediave serioze, incidenti do të shkaktojë një goditje mbi besueshmërinë e mediave dhe të burimeve të informacionit, duke sjellë kështu një përkeqësim të problemit të dezinformimit mbi shoqërinë.

Eshtë një skenar hipotetik që ilustron se sa shpejt mund të përhapen lajmet e rreme, dhe sa e vështirë është t’i luftosh pasi  virale. Efektet e algoritmeve të mediave sociale, sjellja e përdoruesve dhe vonesa në kontrollin e fakteve krijojnë një terren pjellor për shpërndarjen e shpejtë të dezinformatave.

You may also like