Shqipëria dhe SHBA kundër Koresë së Veriut – Shqip

by admin
Spread the love

Tirana dhe Uashingtoni kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shqipëria dhe SHBA-të kanë thirrur një takim të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 17 Gusht për të diskutuar situatën e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut si dhe kërcënimet e këtij shteti komunist për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara mbajnë presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit prej 15 vendesh këtë muaj.

Linda Thomas-Greenfield: Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Shqipëria kemi kërkuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit për më 17 Gusht për të diskutuar abuzimet me të drejtat e njeriut nga ana e regjimit të Koresë së Veriut. Është hera e parë që Këshilli i Sigurimit do të mbajë një seancë publike për çështjen e të drejtave në Korenë e Veriut që nga viti 2017 dhe ky është një diskutim i vonuar për këtë çështje.

Këshilli i Sigurimit do të informohet nga komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk dhe raportuesja speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut për Korenë e Veriut, Elizabeth Salmón.

Gjatë këtij viti, Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa balistike ndërkontinentale. Pheniani fajëson për situatën e tensionuar në Gadishullin Korean stërvitjet e përbashkëta ushtarake që kryejnë Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut.

Rusia dhe Kina kanë argumentuar se Këshilli i Sigurimit nuk është vendi i duhur i OKB-së për të diskutuar çështjet e të drejtave të njeriut. Qindra dezertorë kanë dhënë dëshmi per vrasje, skllavërim, tortura, burgim, përdhunime, aborte të detyruar dhe dhunë të tjera seksuale, persekutim mbi baza politike, fetare, racore dhe gjinore, si dhe transferim me forcë të popullsisë.

Klan News

You may also like