SHBA – Scholz: I bindur se SHBA do të miratojë ndihmën ushtarake për Ukrainën

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, para takimit të tij me presidentin amerikan Joe Biden, shprehu besimin se së shpejti do të merret një vendim për ndihmën e re ushtarake amerikane për Ukrainën.

“Bëhet fjalë për dërgimin e një mesazhi të qartë dhe të rëndësishëm për presidentin rus Vladimir Putin dhe ndihmën aktive për Ukrainën”, tha sot Scholz në Uashington.

“Nuk dua të spekuloj se sa kohë do të zgjasë dhe nëse do të duhen disa përpjekje të tjera. Por, do të ishte mirë nëse do të ndodhte shumë shpejt”, tha ai.

“Ndihma është e nevojshme jo vetëm për të ndihmuar Ukrainën, por edhe për t’i dërguar një mesazh të qartë presidentit rus Vladimir Putin”, theksoi Scholz.

Biden është përpjekur për muaj të tërë për arritjen e një marrëveshjeje për ndihmën ushtarake me vlerë rreth 60 miliardë dollarë për Kievin në Kongres.

Republikanët e ish-presidentit Donald Trump kanë bllokuar paketën e ndihmës.

Scholz u takua me senatorët dje në mbrëmje. Kancelari tha se ishte “shumë i kënaqur” që tani kishte një sinjal të mirë që Senati mund të merrte së shpejti një vendim në favor të një pakete që do të krijonte bazën financiare për mbështetjen e Ukrainës me armë amerikane.

Udhëheqësi gjerman tha se Evropa mund të japë një kontribut të madh për Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania deri tani, janë furnizuesit më të rëndësishëm të armëve për Ukrainën.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like