SHBA – Lara Trump zgjidhet bashkëkryetare e Partisë Republikane

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 mars /ATSH-DPA/ – Lara Trump, nusja e ish-presidentit amerikan Donald Trump, është zgjedhur bashkëkryetare e Partisë Republikane.

Shumica e Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) votoi dje për Lara Trump dhe Michael Whatley si bashkë-kryetarë.

Whatley është një i besuar i ngushtë i ish-presidentit dhe mbështeti pretendimin e pabazë të Trump se fitorja në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 i ishte vjedhur përmes mashtrimeve masive.

Në fjalimin e saj inaugurues në Hjuston të Teksasit, Lara Trump shpjegoi se tani bëhet fjalë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

“Ka të bëjë me të mirën kundër të keqes”, tha ajo.

Lara Trump, 41 vjeçe, më herët është shfaqur si opinioniste politike në transmetuesin amerikan “Fox News”.

Në fjalën e tij, Whatley theksoi qëllimin e arritjes së shumicës republikane në të dy dhomat e Kongresit amerikan. Në nëntor, të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një e treta e vendeve në Senat do të rizgjidhen gjithashtu.

Demokratët, aktualisht kanë një shumicë të vogël në Senat dhe republikanët kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në fund të shkurtit, paraardhësit e RNC Ronna McDaniel dhe Drew McKissick njoftuan dorëheqjen e tyre. Trump kishte rekomanduar për këtë pozicion Whatley dhe nusen e tij.

Komiteti Kombëtar Republikan organizon konventën kombëtare të emërimit të partisë në të cilën delegatët zgjedhin zyrtarisht kandidatin presidencial republikan në vazhdën e zgjedhjeve paraprake të mbajtura në secilin shtet.

Trump pritet të përballet me presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në nëntor pasi rivalja e tij i fundit në garën e primareve republikane, ish-ambasadorja e OKB-së dhe guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, u tërhoq nga fushata paraprake republikane. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like