SHBA bllokon rezolutën arabe për Gazën – Shqip

by admin
Spread the love

Propozon rezolutë alternative që bën thirrje për armëpushim humanitar dhe ndalim të ofensivës izraelite në Rafah

Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të OKB-së të mbështetur nga vendet arabe që kërkoi një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës. Votimi i të martës në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, përfundoi me 13 vota pro propozimit të Algjerisë, një kundër dhe abstenimin e Britanisë, duke reflektuar mbështetjen e gjerë globale për përfundimin e luftës.

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield tha para votimit se SHBA-ja do të bllokonte rezolutën, pasi ajo mund të pengojë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje mes palëve.

Në një lëvizje të papritur përpara votimit, Shtetet e Bashkuara qarkulluan një rezolutë tjetër në Këshillin e Sigurimit që mbështet armëpushim të përkohshëm në Gazë.

Projekt-rezoluta amerikane parashikon një armëpushim të përkohshëm “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe kërkon lirimin e të gjithë pengjeve që u morën gjatë sulmit të Hamasit më 7 Tetor, si edhe bën thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve në dërgimin e ndihmave humanitare.

Sipas propozimit amerikan, të dyja këto veprime “do të ndihmojnë në krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve”, siç kërkohet në një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit më 22 Dhjetor.

Po ashtu, në këtë propozim bëhet thirrje që “të mos vazhdojë në rrethanat e tanishme” ofensiva e planifikuar e Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë.

Sipas projekt-rezolutës amerikane zhvendosja e mëtejshme e civilëve, “përfshirë ndoshta në vendet fqinje”, një referencë për Egjiptin, do të ketë pasoja serioze për paqen dhe sigurinë rajonale.

Ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield tha se presidenti Joe Biden ka pasur disa telefonata gjatë javës së fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit e Egjiptit dhe Katarit për të nxitur arritjen e marrëveshjes.

Katari tha të shtunën se bisedimet “nuk kanë përparuar siç pritej”.

Klan News

You may also like