SHBA – Biden: Zgjidhja me dy shtete është e mundur edhe me Netanyahun

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 20 janar /ATSH-ANSA/ – Krijimi i një shteti për palestinezët është i mundur edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden.

“Po, është”, u përgjigj Biden kur u pyet nëse ishte e mundur një zgjidhje me dy shtete edhe me Netanyahun.

Presidenti më pas shpjegoi se kryeministri i Izraelit nuk është kundër të gjitha zgjidhjeve me dy shtete dhe se ka lloje të ndryshme.

“Ka shumë lloje të zgjidhjeve me dy shtete. Ka vende që janë anëtarë të OKB-së dhe nuk kanë shtetin e tyre. Unë mendoj se ka mënyra se si mund të funksionojë”, theksoi Biden.

Pas 27 ditësh heshtje dhe ”ngricash”, presidenti amerikan Joe Biden foli sërish me Benyamin Netanyahun për të përsëritur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të fokusohen në krijimin e një shteti palestinez.

”Izraeli duhet të zvogëlojë dëmet e pësuara nga civilët në Gaza”, njoftoi Shtëpia e Bardhë pas bisedës 40-minutëshe mes dy liderëve.

Por, vështirësitë e Bibit (Netanyahut – shën. i përkth.) nuk kufizohen vetëm në Uashington, por edhe në Evropë.

Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell tha hapur se “qeveria e Izraelit” e udhëhequr nga Netanyahu përfaqëson “një pengesë” për çdo zgjidhje të konfliktit dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet “të imponojë nga jashtë “zgjidhjen me dy shtete”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like