Rusia shpall agjent të huaj kritikun e Kremlinit, nobelistin Dmitry Muratov

by admin
Spread the love

Autoritetet ruse e shpallën të premten redaktorin Dmitry Muratov, fitues i Çmimit të Nobel të Paqes, agjent të huaj, duke vazhduar kështu shtypjen e zërave kritikë dhe të raportimit të pavarur.

Ligji rus lejon që individët dhe organizatat që marrin fonde nga jashtë të emërtohen agjentë të huaj, një term ky denigrues që synon uljen e besueshmërisë së tyre në radhët e publikut rus. Sipas këtij parashikimi ligjor, të emërtuarit duhet edhe të shënojnë të gjitha publikimet e tyre me deklarimin se janë agjentë të huaj.

Muratov ishte kryeredaktor i gazetës “Novaya Gazeta”, që respektohej gjerësisht jashtë vendit për raportimet e saj investigative dhe që ishte shpesh kritike ndaj Kremlinit. Muratov ishte ndër fituesit e Çmimit Nobel në vitin 2021. Ai e nxori më vonë në ankand medaljen e tij Nobel, duke fituar 103.5 milionë dollarë, për të cilat tha se do të përdoreshin për të ndihmuar fëmijët refugjatë nga Ukraina.

Kur Rusia miratoi ligje të ashpra për të ndëshkuar deklaratat që kritikonin veprimtarinë e saj ushtarake në Ukrainë, apo që diskreditonin ushtarët rusë, “Novaya Gazeta” njoftoi se do të pezullonte botimin e saj deri në përfundim të konfliktit.

Disa nga gazetarët e saj filluan një gazetë të re të quajtur “Novaya Gazeta Europe”, me seli në Letoni.

Gjatë viteve të fundit, Rusia ka vendosur metodikisht në shënjestër persona dhe organizata kritike ndaj Kremlinit, duke i emërtuar shumë prej tyre “agjentë të huaj”. Disa i ka emërtuar “të padëshiruar”, bazuar në një ligj të vitit 2015 që e bën vepër penale anëtarësimin në organizata të tilla.

Rusia gjithashtu ka burgosur personalitete të rëndësishme të opozitës, përfshirë aktivistin kundër korrupsionit Alexei Navalny, që ka qenë kundërshtari më këmbëngulës i Presidentit Vladimir Putin, si dhe disidentët Vladimir Kara-Murza dhe Ilya Yashin. /VOA


Top Channel

You may also like