Rusia lëshon urdhërarrest për fituesen e Eurovizionit nga Ukraina

by admin
Spread the love

Rusia ka lëshuar një urdhërarrest për fituesen e “Eurovision”, Jamala, nën akuzat se ka përhapur informata “të rrëme” për përfshirjen e Forcave të Armatosura të Rusisë në pushtimin e Ukrainës.

Në fillim të këtij muaji, Ministria e Brendshme e Rusisë futi këngëtaren me origjinë tatare nga Krimea, në listën e personave të kërkuar.

Faqja e pavarur e lajmeve Mediazona, e cila mbulon çështjet e opozitës dhe të drejtave të njeriut, tha se Jamaladinova u akuzua sipas një ligji të miratuar vitin e kaluar që ndalon përhapjen e të ashtuquajturave informacione të rreme rreth ushtrisë ruse dhe luftimeve të vazhdueshme në Ukrainë.

Jamala, emri i vërtetë i së cilës është Susana Dzhamaladinova, fitoi Festivalin Europian të Këngës në vitin 2016 me një baladë e cila përshkroi dëbimin brutal të tatarëve të Krimes nga Krimea për në Azinë Qendrore në 1944 nga diktatori sovjetik Joseph Stalin.

Më 2023, Jamala regjistroi një album me titullin “Krimea”, në të cilin mblodhi këngë të lashta për popullin e vet. Ajo e ka ngritur zërin vazhdimisht kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014 dhe kundër agresionit të armatosur rus në Ukrainë.

Në prill 2022, Ministria e Jashtme e Rusisë e futi atë në listën e artistëve ukrainas të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi për 50 vjet.