REPUBLIKA ÇEKE – Fillojnë zgjedhjet presidenciale mes frikës nga sulmet kibernetike

by admin
Spread the love

PRAGË, 13 janar /ATSH-DPA/ – Zgjedhjet presidenciale dyditore në Republikën Çeke nisën sot, me një kandidat që beson se vota tashmë është e ndikuar nga sulmet kibernetike.

Sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë ndërmjet miliarderit dhe ish-kryeministrit populist, Andrej Babis, ish-gjeneralit të ushtrisë, Petr Pavel dhe profesoreshës së ekonomisë, Danuse Nerudova.

Pavel tha se faqet e internetit të fushatës së tij ishin të vështira për t’u aksesuar.

“Hakerët rusë me sa duket nuk duan që votuesit të hyjnë në faqet e mia të internetit në këtë ditë kyçe”, u ankua 61-vjeçari, ish-gjenerali i NATO-s, në Twitter.

Qendrat e votimit në vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s u hapën në orën 14:00 (13:00 GMT) dhe do të mbyllen nesër në të njëjtën orë për 8,3 milionë votues me të drejtë vote.

Nëse asnjë nga tetë kandidatët nuk merr një shumicë absolute, siç pritej, një raund i dytë i votimeve do të pasojë brenda dy javësh.

Kompetencat e presidentit çek përfshijnë emërimin e gjyqtarëve kushtetues dhe të drejtën për t’i kthyer ligjet vetëm një herë në parlament.

Në një debat të fundit televiziv të enjten, favoritët shkëmbyen batuta dhe akuza të ndërsjella.

Babis, kryeministër midis 2017 dhe 2021, u përpoq të portretizonte Pavel dhe Nerudova si të papërvojë politikisht.

Babis ndërkohë është akuzuar se ka udhëhequr ”kaosin” gjatë krizës së koronavirusit të  viteve 2020 dhe 2021./   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like