Remzi Ejupi për Granit Xhakën: Një djalë, burrë e baba flori

by admin
Spread the love

Ish presidenti i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, me fjalë të mëdha për djalin nga Kosova, kapitenin e kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka dhe futbollistin e Bayer Leverkusenit.

Xhaka është futbollisti më i mirë në kampionatin gjerman. Ai është kampion i ri me Bayer Leverkusenin.

Jo me kaq, tani po luftojnë edhe për Kupën e Gjermanisë dhe trofeun e Europa League.

“Kosova ka qenë gjithmonë një minierë e njerëzve të mbërrirë.

Nëse bota e muzikës mburret me Rita Orën e Dua Lipën, futbolli kosovar e ka Granit Xhakën si ambasadorin më të mirë të tij.

Graniti është një gjerdan i vendit tonë, një gurë i çmueshëm që duhet ta ruajmë me fanatizëm e me nder.

Sa e sa herë na ka bërë krenarë Xhaka, i cili ka kryer punë më shumë se një ambasador i shtetit.

Graniti s’kish se si të dilte ndryshe, kur dihet se i biri i kujt është.

Babai i tij ka dhënë kontribut të madh për të arritur në ditët që po i shijojmë e jetojmë, ka sakrifikuar shumë, si qindra mijëra bashkatdhetarë të tjerë, ndërsa nëna i ka rritur me mund, pra dy prindër të mrekullueshëm.

Graniti është një djalë shembullor, kokulur, punëtor dhe mjaft modest.

Një djalë, burrë e baba flori, i cili iu përkushtua familjes para “qejfeve” të tjera dhe kjo rrugë ia solli suksesin.

Xhaka së fundmi e bëri atë që nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më parë.

Nën drejtimin e tij në fushën e blertë, Bayer Leverkuseni e fitoi titullin e parë dhe historik në Gjermani.

43 ndeshje pa humbje është seria mahnitëse e kampionit të freskët gjerman dhe këtu pa dyshim se hisetar është edhe vetë Graniti.

Ai po cilësohet si “trajner në fushë” i Leverkusenit, ndërsa prapa tij qëndron një mentor që po dëshmohet çdo ditë e më shumë – Xabi Alonso.

Graniti na ka bërë krenarë shpesh, sidomos në ndeshjet kundër Serbisë në Kampionate Botërore, ndërsa shqiponja dykrenore e festimit të golit në Rusi ishte një veprim patriotik dhe një gjest heroik, që na bëri me lot.

Edhe fanella “Jashari”, të cilën e veshi në Botërorin e fundit në atë lojë me plot tension, vërtet na rrëqethi dhe na çoi peshë nga emocionet.

Ai e shkroi emrin e tij në histori të Kombëtares së Zvicrës me numrin e paraqitjeve dhe me mënyrën e paraqitjeve dinjitoze.

Në shtetin helvetik konsiderohet si një legjendë tashmë dhe ky fakt duhet të na mburrë e gëzojë.

Unë e kisha fatin t’ia përcillja karrierën që nga vegjëlia e tij dhe e vëllait të tij, Taulantit, po ashtu një futbollist mjaft cilësor, i cili la gjurmë tek Kombëtarja shqiptare.

Gjatë takimeve me ta vërejta një sinqeritet, pastërti në zemër dhe një respekt maksimal që ta jepnin.

Graniti na ka vizituar dhe na ka nderuar disa herë sa isha në krye të FC Prishtinës, edhe në kohërat e rënda kur futbolli kosovar ishte veç një geto, i izoluar nga të katër anët.

Ia pata bërë dhuratë një shqiponjë argjendi, të punuar nga artistët kosovarë pasi e kisha vërejtur se shqiponja dykrenore dhe shqiptarët qarkullojnë në indet dhe në damarët e Granitit.

Ndërkohë, babai i tyre, Ragipi veproi mjaft mençur: njërin fëmijë ia fali Kombëtares së Zvicrës, si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, pasi ky shtet iu gjend afër në ditët më të vështira të jetës, dhe tjetrin mëmës Shqipëri.

Granit Xhaka e ka dëshmuar veten kudo që ka luajtur, duke nisur nga Baseli, për të vazhduar më pas me Borussia Monchengladbachun dhe së fundmi me Arsenalin, ku ishte bërë edhe kapiten dhe mjaft i dashure për tifozët, të cilëve po iu mungon aq shumë!

Prandaj, me të drejt Graniti e ka fituar epitetin e futbollistit më të mirë që e ka pasur ndonjëherë Kosova.

Futbollistë dhe djem si Graniti lindin rrallë, andaj ta shijojmë momentin magjik që po na sjell ky xhevahir si lojtar dhe në të ardhmen të shpresojmë që do të bëhet një trajner i madh, pse jo edhe i Kombëtares së Kosovës…

Graniti është një sinonim dhe shembull për t’u ndjekur nga gjeneratat e reja, pasi fatkeqësisht paraprakisht shumë gjenerata na shkuan dhe na u shuan në izolim, pa i pasur mundësitë e sportistëve të sotëm.

Graniti është një model i personit dhe i sportistit. Xhaka është një legjendë!”, ka shkruar Ejupi në profilin e tij në facebook. 

You may also like