Raporti i OSBE-së për armët pa leje, plot vërejtje në praktikat e dënimit të rasteve – Shqip

by admin
Spread the love

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin e fundit, ku fokusi ishte mbi praktikat e dënimit në rastet që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje.

Në njoftim thuhet se raporti analizon të dhënat e mbledhura nga dhjetori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2023, ku vlerëson praktikat ndëshkuese të gjykatave, lidhur me respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë dhe ato ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me fokus te dënimet e drejta dhe konsistente.

“Analiza vë në dukje dy mangësi kryesore në lidhje me praktikat e dënimit në rastet e armëmbajtjes pa leje: vlerësimi joadekuat i rrethanave rënduese dhe lehtësuese; si dhe mungesa e konsistencës në aktgjykimet dënuese”.

“Në afro 25 për qind të rasteve të monitoruara, gjykatat në mënyrë të parregullt i kanë shqyrtuar si rënduese faktorë të përgjithshëm dhe rrethana jo individuale. Këtu përfshihet edhe mbajtja e paautorizuar e armëve që referohet si ‘lloj i veprës penale të kohëve të fundit’ apo ‘më të shpeshta në Kosovë’”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

Më tej, sipas raportit të OSBE-së thuhet se korniza ligjore e Kosovës nuk bën dallim domethënës midis llojeve të armës si dhe shkallëve të rrezikshmërisë, gjë që sipas tyre, çon në dallime të thella tek aktgjykimet dënuese nëpër gjykatat e Kosovës.

“Rrjedhimisht, 31 nga 33 raste rezultuan me gjoba me shuma të ngjashme (400 euro si më e shpeshta) për rastet që bënin fjalë për armë të ndryshme, që shkonin nga spreji lotsjellës e deri tek armët e zjarrit gjysmë automatike, të cilat paraqesin rrezikshmëri e seriozitet krejt tjetër”, thuhet tutje në raport.

Tutje, thuhet se raporti jep rekomandimet që i drejtohen palëve kryesore në sistemin gjyqësor të Kosovës, duke përfshirë edhe trajnimet e përgatitura enkas për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe ndryshimet në kornizën legjislative dhe në udhëzues.

Në raport, bëhet e ditur se në vitin 2022, Policia e Kosovës ka konfiskuar 1 mijë e 473 armë që ishin në posedim ilegalisht, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2023 janë konfiskuar 636 armë.

You may also like