Rama për Rete4: Me marrëveshjen për migrantët nderuam veten dhe miqësinë e thellë me Italinë

by admin
Spread the love

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ – Në një intervistë nga Parisi për emisionin ”Dritto e Rovescio” të televizionit italian, Rete4, kryeministri Edi Rama dha hollësi për marrëveshjen e nënshkruar me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni për ngritjen e qendrës së pritjes për migrantët në Shëngjin.

”Fillimisht dua të sqaroj një pikë që ka bërë shumë bujë, sepse sot po flisja edhe me miqtë këtu në Forumin e Paqes në Paris, që hapet nesër, për faktin se do të vijnë vetëm burra. Kjo nuk është e vërtetë. Kryeministrja foli për të mitur dhe gra shtatzëna që nuk do të përfshihen në këto udhëtime në qendrën e pritjes në Shqipëri. Këto janë vetëm gratë shtatzëna. Është shumë e rëndësishme sepse edhe në Shqipëri kjo gjë u keqkuptua me njëfarë shqetësimi, që do të ishte i drejtë nëse do të ishte i vërtetë”, deklaroi Rama.

”Për mendimin tim, kjo marrëveshje ka lindur krejtësisht natyrshëm. Nuk më habit, por mendova se debati në përgjithësi në Itali apo edhe në Shqipëri mund të ishte pak më i qetë, sidomos në Shqipëri, aq më pak sepse nuk është një marrëveshje kapitullimi, nuk është një marrëveshje pushtimi, nuk është një marrëveshje që është bërë pa llogaritur me kujdes aftësitë dhe mundësitë. Kjo është një marrëveshje e bërë me shumë vëmendje dhe me shumë respekt për ata persona që më pas do të jenë objekt i këtij operacioni”, theksoi ai.

”Besoj se është normale që ka mendime të ndryshme, është normale që ka skeptikë, është normale që ka edhe nga ata që më pas bëjnë zhurmë kundër çdo gjëje sepse ndryshe nuk do të jemi në demokraci. Por, pika e kësaj marrëveshjeje që më bën të ndihem keq është se ajo është një marrëveshje e bërë siç bëhet mes shteteve të BE-së. Domethënë, vetëm fakti që Shqipëria nuk është shtet i BE-së, a do ta bënte këtë marrëveshje një marrëveshje për hapjen e një Guantanamoje? Çfarë do të thotë kjo? Para së gjithash, të flasësh për Guantanamon dhe të flasësh për kampet e përqendrimit me të vërtetë ofendon kujtesën e atyre që kaluan nëpër Guantanamo dhe kampet e përqendrimit. Duhet të kemi pak më shumë ndjeshmëri ndaj këtyre fjalëve sepse duke qenë kryeministër i Shqipërisë, i lindur në një vend si kamp përqendrimi, i lindur në një vend të izoluar që ishte një Guantanamo në mes të Evropës, sinqerisht e mendoj këtë. Kjo është paksa shumë. Edhe sepse këto qendra pritëse janë kudo, janë në Greqi, që është vend i BE-se dhe nuk besoj se ka dhënë njeri alarmin kampe përqëndrimi në Greqi. Ka edhe gjetkë. Ndoshta ato nuk janë më të mirat, nuk janë hotele në breg të detit. Unë e kuptoj shumë mirë, por në çdo rast nuk janë fakte dhe ne nuk duam të bëjmë diçka që nuk respekton dinjitetin e këtyre njerëzve”, vijoi Rama.

”Përkundrazi, pikërisht sepse edhe ne duam të respektojmë dinjitetin e këtyre njerëzve, ne ishim shumë të kujdesshëm, shumë të kujdesshëm me numrat dhe modalitetet. Dhe më pas ishte një grup ekspertësh italianë dhe shqiptarë që punuan për marrëveshjen nga të gjitha këndvështrimet dhe gjithashtu nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare”, theksoi ai.

”Të komentosh nuk është mëkat në vetvete. Njeriu mund të mëkatojë duke komentuar keq. Në të vërtetë, unë i respektoj të gjithë dhe nuk dua të hyj në asnjë lloj debati sepse, siç thashë edhe më parë, mendimet e ndryshme për këtë temë janë të shenjta sepse fatkeqësisht nuk ka përgjigje bindëse dhe të përbashkët. Ka vende evropiane, për shembull nga BE-ja, që nuk e kanë fshehur dhe e thonë publikisht se ne nuk duam emigrantë me ngjyrë apo dhe myslimanë. E thonë këtë. Por, më pas këto shtete u treguan fantastike në mbledhjen e miliona ukrainasve, pasi ata ishin të bardhë, ata ishin të krishterë”, vijoi kryeministri Rama.

”Edhe nëse ka vërtet një ndjenjë shqetësimi, sepse në fund të fundit kushdo që vjen në Evropë dhe që merr anijen dhe kushdo që shfaqet atje i dëshpëruar meriton të respektohet, meriton të mirëpritet, të trajtohet mirë, madje të identifikohet si njeri, dhe jo si i zi apo i bardhë, i kuq apo jeshil… Pastaj, ka shtete në Bashkimin Evropian, dhe unë marr shembullin e Suedisë, e cila ka adoptuar një politikë krejtësisht tjetër, krahëhapur për të gjithë pa diskriminim, një politikë e bazuar në parimet dhe vlerat e pastra, le të themi Evropa ideale”, shtoi ai.

”Por, për fat të keq, as kjo nuk duket të jetë përgjigja e duhur. Ne ndodhemi në mes të Evropës, ndaj nisem nga kjo, ne jemi në mes të Evropës, ne jemi të ndarë nga një det i bukur me Italinë. Ne nuk jemi një shtet i BE-së, ne jemi një shtet evropian, dhe këtë askush nuk mund ta na e heqë. Pra, ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, sigurisht që ka qenë ëndrra jonë që në momentin e parë kur shpëtuam nga ferri i diktaturës komuniste në Shqipëri”, shtoi ai.

”Fakti që thuhet se kjo marrëveshje është bërë për një shpërblimi, është kur sheh që shpërblimi nuk është paraja, pasi Shqipëria nuk ka kërkuar asnjë liretë, jo më euro, për këtë operacion. Shqipëria nuk kërkoi asnjë favor apo përfitim, thjesht kishte nderin të ishte e pranishme kur Italia i kërkoi të jepej një dorë. Pra, sa herë na ka ndihmuar Italia? Çfarë fitoi dhe çfarë kërkoi Italia në këmbim kur na priti krahëhapur, ndërsa ne në atë kohë ishim ata që vinim sot në Lampeduza. Ishim ne eritreasit, ishim ne afrikanët. Edhe pse ndodheshim në mes të Evropës, ishim ne alienët, që po mbërrinim atje me anije”, vijoi Rama.

”Asgjë, nuk kërkoi asgjë, nuk donte asgjë në këmbim, por le të kalojmë tek tjetra, çfarë kërkoi nga ne Italia, çfarë fitoi nga ne kur mbërriti në Shqipëri me ushtrinë, me vullnetarët, ndërsa Shqipëria doli nga komunizmi në rrugën e saj vërtet dramatike drejt ndërtimit të një vendi të ri dhe demokratik. Ju kujtohet piramida financiare që e çoi Shqipërinë në prag të një lufte civile, sepse të gjithë humbën kursimet. Italia na shpëtoi, Italia, ishte atje, dhe nuk kërkoi një shpërblim. Çfarë shpërblimi kërkuan për ndihmën ne terren kur mbërritën ndërsa njerëzit tanë ishin nën rrënojat e tërmetit të tmerrshëm? Ata erdhën nga Italia, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët tona. Nuk kërkuan asnjë shpërblim, bënë punën e tyre dhe u larguan. Dhe pastaj vjen një ditë, që nuk është një ditë çfarëdo, nuk është si çdo ditë, nuk është as le të themi çdo dy vjet që Italia thotë se kemi këtë problem a mund të na ndihmoni? Ne e dimë se jemi shumë të vegjël për të qenë zgjidhja, por ne ende duhet të japim një dorë, apo jo? Po, sigurisht, nderojmë veten dhe nderojmë këtë miqësi të thellë me Italinë”, theksoi në këtë intervistë Rama.

”Dhe pastaj kur shohim që nuk ka asgjë nga këto, themi se Rama ua hapi derën afrikanëve të Melonit për të hyrë më shpejt në Evropë. Por, më falni, këta që e thonë këtë nuk dinë as të trokasin në Evropë, jo më si të hyjnë. Por, as si të trokasin. Hyrja në Bashkimin Evropian është një rrugë krejtësisht e ndryshme nga kjo imagjinatë. Nuk mund të hysh në Bashkimin Evropian sikur të jetë një kishë, sikur të marrësh dikë në rrugë dhe t’i thuash priftit, a mund ta sjell edhe këtë se ai është mëkatar, por megjithatë është një djalë i mirë. Jo, në BE hyn duke bërë reforma, detyrat e shtëpisë, të cilat janë vërtet shumë të domosdoshme, dhe ka një Komision Evropian që vlerëson, që bën të gjithë monitorimin e detyrave, administratës publike, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit. Nuk ka të bëjë fare, por fatkeqësisht në një botë ku vlen vetëm interesi dhe ku vlen vetëm paraja, askush nuk mund ta imagjinojë që një marrëveshje mund të bëhet edhe pa interes dhe pa para, por vetëm për të na nderuar neve dhe për të nderuar këtë miqësi”, theksoi ai.

”Më duhet të them që nëse në Itali është e majta që ka… le të themi që është pak jashtë linje për pak kohë, dhe shpresoj që ky të jetë një problem i mbyllur, pasi atëherë ai ‘përjashtim’ ka rezultuar në atë që ata mendojnë se kjo marrëveshje është e gabuar. Jo, jo, atëherë unë mendoj se ndoshta nuk është krahu i majtë që të ndihmojë Italinë në këtë mënyrë dhe po thotë në rregull, ‘mirëpresim edhe ne emigrantët’, as të djathtët në Shqipëri, sepse në Shqipëri është e djathta që na thotë të njëjtat gjëra. Pra, nuk ka të bëjë as me të majtën, dhe as me të djathtën, ndoshta kjo është thjesht e drejta. Do e shohim”, sqaroi Rama.

”Faleminderit shumë dhe buzëqeshni më shumë sepse jetoni në vendin më të bukur të botës pas Shqipërisë”, përfundoi Rama, në një intervistë nga Parisi për emisionin ”Dritto e Rovescio” të televizionit italian, Rete4, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni për ngritjen e qendrës së pritjes për migrantët në Shëngjin./ /a.i/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like