Policia kërkon autorët e gënjeshtrës të ‘çimkave në apartamentet greke’ që po dëmton turizmin

by admin
Spread the love

Ministria greke e shëndetësisë ka kërkuar ndihmën e policisë për identifikimin e autorëve të një gënjeshtre të përhapur disa zona të Athines e rrjedhimisht në media, e cila ka trembur turistët e huaj duke i larguar nga akomodimet e tyre ditore.

Zyrtarët shtonin se po punojnë kundër atyre që kanë shpikur ‘krizën e çimkave të krevatit’ me qëllim dëmtimin e hoteleve dhe turizmit në Greqi.

Zhvillimi vjen pasi disa postera të vendosur jashtë ndërtesave të banimit me një vulë të rreme të bashkisë së Athinës paralajmëronin për përhapje të insekteve, për të cilat zyrtarët thanë se janë “absolutisht të rreme.”

Fletushkat në një anglishte me gabime shkruanin “Të dashur vizitorë”, dhe lajmëronin se zyrtarët po zbraznin “hotelet private” me qëllim “të mbronin shëndetin publik të rezidentëve grekë”.

Duke cituar infektimin me parazitë dyshekësh, ato kërcënonin me gjobë 500-euro nëse vizitorët nuk largohen në kohë nga rezidencat e tyre afat-shkurtra, dhe më pas me mirësjellje i uronin qëndrim të mbarë në Greqi.

Zhvillimi vjen teksa përveç rritjes së kostove të jetesës, Athina dhe zona të tjera të Greqisë përballen me problemin e apartamenteve me qira të shkurtër, kryesisht për vizitorët e huaj.

Kjo ka shkaktuar rritje të mëtejshme të qirave në Greqi duke detyruar banorët të largohen nga zonat qendrore të Athinës.

Ndërsa një tjetër problem për vendasit është programi i “vizave të arta” të qeverisë, që u ofron rezidencën investitorëve të huaj.

Turizmi është një forcë e rëndësishme e ekonomisë greke duke shënuar një të pestën e të ardhurave vendase.

Ministria e shëndetësisë i ka kërkuar policisë të bëjë çfarë të jetë e mundur që “asnjë të mos terrorizojë apo të keqinformojë publikun”.

Greqia nuk ka pasur ndonjëherë probleme me insektet gjakpirëse që kohët e fundit kanë shkaktuar shqetësime të vërteta në Francë, sipas mediave.