Plori: E vuajmë mungesën e tifozëve, duhet të rikthehemi te fitorja

by admin
Spread the love

Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Laçit, e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Tekniku i shkodranëve ka analizuar kundërshtarin si dhe ka folur për gjendjen e skuadrës në prag të kësaj ndeshjeje vendimtare.

“Këto dy javë janë shumë të rëndësishme për të gjithë klubin dhe besoj se do të rikthehemi te fitoret. Lojtarët e kanë vlerësuar stërvitjen shumë. Nuk është hera e parë që shënojmë gol dhe më pas e pësojmë. Kemi bërë një analizë pas kësaj ndeshje dhe shpresoj që këto situata të mos përsëriten më.

Si trajner mund të them që skuadra në minutat e fundit nuk kishte fuqi. Me programin e GPS, lojtarët kanë patur luhatje dhe nuk kam bërë shumë ndryshime në formacion. Ana psikologjike ka ndikuar pasi skuadra është ndërtuar për të dalë kampion dhe mungesa e rezultateve ka ndikuar.

Si trajner jam gjithmonë nën presion, por e them me shpirt që në Shkodër kam ardhur për të bërë më të mirën për këtë skuadër, pasi këtu jam në shtëpinë time. Këtu ka gjithmonë presion, por unë dua të dalë faqebardhë pasi jam shkodran dhe kur nuk fitojmë mezi i dalë përpara njerëzve të shtëpisë. Jam trajner që mundohem të bëj gjithmonë maksimumin.

Laçi një skuadër agresive dhe dalin shpejtë në kundërsulme. Janë të fortë, por shpresoj që nesër të jetë dita jonë dhe jo e atyre. Ndryshimi i trajnerit? Nuk e di, por them që janë të dy trajnerët me eksperiencë dhe e dinë si t’i zgjidhin problemet e skuadrës.

Nuk jam partizan i ndryshimeve të mëdha. Do të kemi ndonjë ndryshim të vogël, por edhe ata që janë futur nga stoli nuk kanë bërë shumë ndryshime. Lojtarët duhet të angazhohen pak më tepër që të mos na ndodhi ajo që ndodhi me Kastriotin. Jemi munduar të takohemi me lojtarët edhe në veçanti në mënyrë që të jenë mirë nga ana psikologjike. Gurishta është në dyshim për të luajtur titullar, është stërvitur vetëm sot dhe do të jetë me skuadrën.

Tifozët? I kuptoj shumë mirë dhe janë tifozët më të mirë. E di që janë të ndjeshëm, por Vllaznia ka nevojë për njerëz që të vijnë në stadium pasi i kemi të gjitha gjërat në lojë. Nëse fitojmë nesër, do të jetë një gjë pozitive edhe për ndeshjen e Kupës. Europa është më afër përmes Kupës pasi ka ndeshje më pak. Gara është e hapur në dy frontet. E vuajmë mungesën e tifozëve, ne pa ata nuk mund të arrijmë te rezultatet pozitive”,ka thënë Plori. / Oversport.tv

You may also like