Pesë lojtarë mbeten jashtë Partizanit për duelin me Egnatian, mes shtyllave pritet…

by admin
Spread the love

Partizani vijon të ketë probleme me dëmtimet dhe situata do të vijojë edhe në ndeshjen e radhës ndaj Egnatias, që është e fundit përpara ndeshjeve të kombëtareve, ku më pas do të kthehet edhe e gjithë vëmendja. Janë plot gjashtë lojtarë që vuajnë probleme të ndryshme fizike dhe nuk kanë mundur të jenë në gjendje të luajnë në ndeshjet e fundit. Lajme të mira ka vetëm nga njëri prej tyre.

ALBAN HOXHA – Gardiani luajti me dhimbje në ndeshjen ndaj Teutës dhe u detyrua të ndalej më pas në dy sfidat e tjera ndaj Laçit dhe Vllaznisë. Kapiteni i Partizanit vuan një problem në shpatull, të cilin e ka lënë pas në ditët e fundit. Ndaj Vllaznisë ishte në stol dhe me shumë mundësi ndaj Egnatias do të jetë në fushë.

MBROJTËSIT – Andi Hadroj është jashtë fushave prej më shumë se dy muajsh për shkak të dëmtimit që ka pësuar në muskujt e barkut. Lideri i mbrojtjes pritet të mos luajë as ndaj Egnatias, teksa pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare pritet të jetë kthyer në nivelin e pritshëm.

Eljon Sota, që pësoi një tërheqje muskulore në derbi, gjithashtu mbetet jashtë për Egnatian dhe pritet të kthehet në stërvitje me ritëm të plotë pas sfidës me rrogozhinasit. E njëjta gjë vlen edhe për Koçijan, i cili vuan një problem në pjesën poshtë gjurit dhe vijon terapinë për rikuperimin e plotë.

SULMUESIT – Viktor da Silva vazhdon të jetë jashtë që nga ndeshja me Kukësin dhe kjo do të zgjasë akoma. Ai pësoi një goditje në kavilje në atë sfidë, teksa nuk parashikohej që mungesa të ishte kaq e gjatë, çka e bën edhe të mistershëm dëmtimin e brazilianit, i cili e nisi sezonin me një pezullim të gjatë e tashmë vijon jashtë.

Ndërkohë, Kristian Mba vijon të ketë probleme me muskujt e barkut, një dëmtim i përsëritur, i nisur që në Kupat e Europës. Nigeriani ka shumë pak shanse që të luajë ndaj Egnatias, një sfidë mjaft e rëndësishme.

PAUZA SI ILAÇ – Në situatën kur ka kaq shumë dëmtime, pauza e kombëtareve e ndihmon tej mase Partizanin për të rikuperuar lojtarët. Gjithsesi, nga ana tjetër mund të jetë një “pengesë” për vrullin që ka marrë ekipi, i cili numëron plot gjashtë fitore radhazi.

PANORAMASPORT.AL

 

You may also like