OKB: Përmbytjet, sfida më e madhe e Pakistanit në disa dekada

by admin
Spread the love

Autoritetet dhe organizatat humanitare po reagojnë ndaj përmbytjeve më të rënda që ka përjetuar Pakistani në dekada. Përmbytjet kanë prekur rreth 33 milionë njerëz dhe kanë shkaktuar vdekjen e pothuajse 1200 të tjerëve gjatë dy muajve të fundit.

Ministrja e Ndryshimeve Klimatike Sherry Rehman tha të hënën se një e treta e Pakistanit, një vend me rreth 220 milionë banorë, ishte nën ujë, duke krijuar një “krizë të përmasave të paimagjinueshme” që nga qershori kur filluan reshjet sezonale monsune.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA), që po udhëheq përpjekjet humanitare dhe po merret me koordinimin e vlerësimit të dëmeve, deklaroi se 72 nga 160 rrethet e vendit janë goditur nga fatkeqësia. NDMA vuri në dukje se të paktën një milion shtëpi, 162 ura dhe gati 3,500 kilometra rrugë janë dëmtuar ose shkatërruar në të gjithë vendin e Azisë Jugore. Përmbytjet kanë vrarë gjithashtu më shumë se 800,000 kafshë dhe kanë dëmtuar tokat bujqësore dhe të korrat vitale.

Pakistani tashmë ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për t’u marrë me pasojat e përmbytjeve masive. Disa vende, duke përfshirë Kinën, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë dërguar tashmë aeroplanë me artikuj ushqimor, çadra, ilaçe, ndihma të tjera dhe ekipe kërkim-shpëtimi, tha ushtria pakistaneze të hënën.

Zyrtarët pakistanezë dhe të Kombeve të Bashkuara thonë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet pasi shirat po vazhdojnë dhe më shumë lumenj po dalin nga shtrati i tyre. Zyrtarët thonë se operacionet e ndihmave dhe ato të kërkim-shpëtimit pothuajse kanë përfunduar, por se mund të duhen “vite” për të rehabilituar viktimat e përmbytjeve. Ata gjithashtu thonë se vendi do të kërkojë ndihmë ndërkombëtare për të përballuar emergjencën.

Julien Harneis, koordinatori i OKB-së për ndihmat humanitare në Pakistan, tha se përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar dëme të medha në të gjithë vendin, duke krijuar “sfidën më të madhe” të tij në dekada. Zoti Harneis bëri thirrje për “ndarje të barrës dhe solidaritet” ndërkombëtar në vazhdën e “katastrofës së shkaktuar nga ndryshimet klimatike”. Ai paralajmëroi se situata humanitare pritet të përkeqësohet nga përhapja e sëmundjeve dhe kequshqyerja.

OKB-ja pritet të nisë një apel për 161 milionë dollarë për Pakistanin të martën, duke thënë se fondet do të ndihmojnë në trajtimin e nevojave kritike për ushqim dhe para në dorë për banorët e katër provincave, Baluçistanit, Sindhit, Punjabit dhe Khyber Pakhtunkhvas.

Përmbytjet vijnë në një kohë kur vendi po përballet me një krizë ekonomike, me pakësim të rezervave të parave të huaja dhe inflacion historik. Ministri i Financave Miftah Ismail tha në një konferencë shtypi në Islamabad se ndikimi ekonomik mund të arrijë në të paktën 10 miliardë dollarë. Ai la të kuptohet gjithashtu për mundësinë e rifillimit të tregtisë së pjesshme me rivalin e përhershëm, Indinë për të importuar perime pasi përmbytjet kanë shkatërruar sektorin e bujqësisë. Pakistani pezulloi tregtinë tashmë të kufizuar me Indinë në vitin 2019 pasi Nju Deli i dha fund në mënyrë të njëanshme një statusi gjysmë autonom të rajonit të debatueshëm të Kashmirit.

Organizata International Rescue Committee (IRC) parashikon një rritje të ndjeshme të pasigurisë ushqimore dhe një ndikim të rëndë të përmbytjeve në ekonominë e Pakistanit. “Ne tashmë po shohim një rritje të madhe të rasteve të diarresë, infeksioneve të lëkurës, malaries dhe sëmundjeve të tjera”, thuhet në një deklaratë të kësaj organizate.

Përmbytjet e këtij viti në Pakistan janë të krahasueshme me ato të vitit 2010, gjatë të cilave mbi 2000 njerëz humbën jetën./VOA


Top Channel

You may also like