Oda e Begracës ku qëndruan Bajram Curri e Idriz Seferi tërheqëse për kurreshtarët (VIDEO)

by admin
Spread the love

Fshati Begracë është një vendbanim kodrinor në Komunën e Kaçanikut. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Këshjellëzë. Përpos bukurisë natyrore dhe kushteve të volitshme për bujqësi, ky fshat karakterizohet edhe me Odën e famshme të Selman Luzhës, të cilën e ka trashëguar djali i tij, atdhetari Berat Luzha. Për të ruajtur vlerat e mikpritjes shqiptare në këto vise, Berat Luzha odën e ka shndërruar në odë-muze e të cilën vijojnë ta vizitojnë kurreshtarët e shumtë. Edhe pse kanë kaluar dy shekuj, kjo odë ruan ende kujtimet dhe frymën shqiptare.

Oda ka qenë edhe bujtinë e trimit Bajram Curri në vitin 1910, së bashku me shumë e shumë trima e personalitete të tjerë, në mesin e të cilëve atdhetari Idriz Seferi me trimat e tij.

E së fundmi, sot në odën e Berat Luzhës ka qëndruar Hysen Shehu nga Kaçaniku, ish-i burgosur politik, veprimtar i shquar në mërgim. Ai ishte i shoqëruar nga veprimtarja e dalluar begracase, Diana Luzha. Përndryshe, Hysen Shehu është kryetar i Shoqatës “Kaçaniku”, ndërsa kjo komunë është e motërzuar me Komunën e Moosseedorfit në Zvicër.
“Sot isha në vizitë në Begracë te familja e Rafet Luzhës dhe te Berat Luzha. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë në këto dy familje bujare e mikpritëse. Jam i lumtur dhe njëkohësisht falënderues për mikpritjen dhe nderin që sot këto dy familje nga Begraca kanë treguar për mua! Më ka lënë përshtypje dhe isha i impresionuar me Odën Muze që e kishte bërë Baca Berat. Një punë jo vetëm e mirë, por edhe e mençur. Edhe te Oda Muze e Berat Luzhës si dhe të familja e Diana Luzhës – Rafet Luzhës kam pasur një bashkëbisedim të mrekullueshëm me mikpritësit”, ka deklaruar ndër të tjera Hysen Shehu, enkas për portalin Shtegu.

You may also like