Njeriu i momentit/ Cilësi dhe sasi, Jasin Adli merr frerët e “djallit”

by admin
Spread the love

Më në fund goli, për të hapur dhe kurorëzuar një performancë vërtet superlative. Jasin Adli u shpall me shumë meritë njeriu i ndeshjes në Milan-Roma, falë një paraqitje të plotë nga ana cilësore dhe sasiore. Francezi i lindur në vitin 2000 u dallua për qartësinë e tij teknike, leximin e lojës dhe personalitetin, të gjitha të zbukuruara nga goli i tij i parë zyrtar me fanellën e “djallit”.

Deri më tani ai e kishte gjetur golin vetëm në ndeshje miqësore, në korrik 2022 kundër modestëve të Volfsbergerit dhe në dhjetor 2022 kundër Lumexanes. Në fitoren 3- 1 ndaj Romës, Adli i dha fund një thatësire golash që kishte zgjatur 805 ditë në ndeshjet zyrtare, që nga 21 tetori 2021 kur shënonte për Bordonë kundër Renit në kampionatin francez.

Për më tepër, goli i tij i çon golashënuesit e Milanit në 12 këtë sezon, shifër kjo e tejkaluar vetëm nga Juventus dhe Frozinone (13) deri më tani. Kontroll topi, driblim ndaj Kristensenit dhe një e majtë kirurgjikale për të mposhtur Svilar. Më pas vrapimi çlirues për të marrë përqafimin e turmës milaniste që kishte pushtuar “San Siro”-n.

SHIFRAT – Kush e di sa e kishte ëndërruar dhe pritur këtë moment, një gëzim që Jasin e ndërtoi dhe e meritoi me punë dhe përkushtim. Ndeshje pas ndeshjeje ai po gdhend gjithnjë e më shumë hapësirë në skemat e kuqezinjve, pa u kursyer kurrë në sakrifica, guxim dhe cilësi. Disa të dhëna nga ndeshja e tij ndaj Romës janë 80 topa të luajtur, 56 pasime pozitive, 3 topa të rikuperuar, 11.5 km të përshkuar dhe 100 për qind driblime të suksesshme.

Mbrëmja e tij nuk kaloi pa u vënë re në sytë e milanistëve, të cilët fillimisht e duartrokitën në daljen e tij nga fusha dhe më pas, në aplikacionin zyrtar të klubit, e votuan masivisht si “Lojtari i ndeshjes”: mbi 61% e preferencave për francezin, përpara Teo Hernandezit (19%) dhe Olivie Zhirusë (16%).

PANORAMASPORT.AL

You may also like