Një varrmihës në Gaza që as s’ha e as s’fle dot…. – Shqip

by admin
Spread the love

Varret masive janë bërë një zgjidhje e nevojshme për qytetarët e Rripit të Gaza-s, të cilët po përballen me një numër marramendës të vdekjeve, ndërsa hyjnë në muajin e dytë të sulmeve shkatërruese të Izraelit.

Tragjeditë vazhdojnë të përshkallëzohen, duke zbuluar gjithnjë e më shumë krime të kryera nga ushtria izraelite kundër civilëve në Rripin e Gaza-s. Saadi Baraka, një varrmihës palestinez 63-vjeçar, foli për Anadolu për vuajtjet e tij për shkak të numrit të madh të fëmijëve dhe grave që i është dashur të varros që nga fillimi i luftës më 7 tetor.

Pavarësisht se e ka kaluar jetën në këtë profesion, ai tha se ajo që po përjeton aktualisht është “e pakrahasueshme” me asgjë në të kaluarën, deri në atë pikë sa nuk mund të flejë e as të hajë. Pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur luftën si shkatërrim të objektivave, luftëtarëve, tuneleve, armëve dhe qendrave të Hamasit, e vërteta është, sipas shifrave zyrtare, se shumica e popullsisë së Gaza-s përbëhet nga gra dhe fëmijë. Realiteti ka çuar në një tragjedi të madhe, ku fëmijët dhe gratë përbëjnë të paktën 70 për qind të viktimave të sulmeve ajrore izraelite, prej të cilave deri tani janë më shumë se 11,000.

 Pse varreza masive?

“Ne u detyruam ta bëjmë këtë, pasi nuk ka ku të varroset çdo ditë ky numër trupash, dhe nuk ka blloqe. Gjithçka është zhdukur në Gaza”, tha Baraka.

Ai theksoi se deri më sot nuk ka parë një krim të tillë ndaj fëmijëve, grave dhe të moshuarve, madje as në regjimin nazist.

“Dje kam varrosur rreth 600 viktima, më shumë se sa kam varrosur në pesë vitet e fundit. Nuk kam parë një brutalitet të tillë. Shumica e atyre që kam varrosur ishin gra dhe fëmijë,” tha Baraka.

Sipas tij, “çdo varr masiv është rreth gjashtë metra i madh dhe në të janë varrosur rreth 45 persona”. Ai thotë se “në varrin më të madh masiv janë varrosur 137 persona”. Për nevojën e gërmimit të varrezave masive, ai tha se ato nuk kanë materiale të mjaftueshme:

 “Nuk ka mbetur asgjë në Gaza, as ujë.”

 

“Unë nuk mund të fle”

Baraka tregoi për gjendjen e tij të vështirë gjatë ditëve të gjata të punës.

“Nuk mund të fle për shkak të numrit të madh të kufomave të fëmijëve që pashë. Cili është faji i atyre fëmijëve?!”, pyeti retorikisht Baraka.

Ai thekson se ata nuk kërkojnë ndihmë dhe ushqim, por janë duke u përpjekur për paqe që nga koha e Abu Ammarit, pra presidentit të ndjerë palestinez Jaser Arafat. Ndërkohë, shtoi ai, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po vazhdon gjakderdhjen.

“Ne përpiqemi të jetojmë me dinjitet dhe liri, të kemi një shtet, sovranitet. Unë dua të jem qytetar si gjithë të tjerët në botë. Ata që dërgojnë ndihma duhet ta konsiderojnë më të përshtatshme të na lejojnë të jetojmë si qytetarë në vendin e tyre, ashtu siç është rasti në çdo komb tjetër”, theksoi Baraka. /tesheshi.com/

You may also like