Një ndryshim radikal, pas dekadash neutralitet Finlanda mund t’i bashkohet NATO-s

by admin
Spread the love

Ngjarjet e ndodhura në një muaj të vetëm në Ukrainë kanë ndryshuar totalisht linjën e historike të neutralitetit të një vendi të zhvilluar europian si Finlanda.

Historia e Helsinkit zyrtar me Moskën ka qenë gjithmonë në ekuilibra të brishta, por tashmë sipas autoriteteve finlandeze rreziku i vendit të tyre, që me Rusinë ndan rreth 1340 kilometra kufi, është tepër i madh për të anashkaluar mundësinë e një aderimi në NATO.

As Lufta e Ftohtë nuk kishte bindur Finlandën për të bërë një hap të tillë, i cili mund të shkaktojë një përgjigje të fortë nga Kremlini që disa herë e ka paralajmëruar mbi një vendim të tillë.

Moska ka një qasje të veçantë ndaj këtij vendi me një nga standardet e jetës më të mirë në botë, i shpallur edhe këtë vit si vendi më i lumtur në planet.

Në radhë të parë sepse Rusia, ose më mirë dinastia cariste e familjes Romanov, ka dominuar mbi të nga viti 1809, kur ia hoqi Suedisë që e kishte pushtuar në shekullin e 13-të dhe e shndërroi në një entitet autonom brenda perandorisë, deri në 1917, si pasojë e revolucionit bolshevik.

Por marrëdhëniet midis dy vendeve u tensionuan veçanërisht pas Luftës së dytë Botërore, ku Finlanda u detyrua t’i jepte Bashkimit Sovjetik territore të vyera si Karelia dhe qytetin e rëndësishëm të Vyborg, jo larg Shën Petersburgut.

Nga ai moment Finlanda dhe Suedia fqinje kanë patur gjithmonë një politikë neutrale, por sipas kryeministres Sanna Marin, kjo periudhë e gjatë mund të cilësohet si e përfunduar. “Të dy opsionet, të hyjmë apo jo në NATO, kanë pasoja. Duhet të vlerësojmë pasojat afatshkurtra dhe ato afatgjata, duke i siguruar popullit finlandez siguri në çdo moment”. Një vendim i tillë sipas burimeve diplomatike  pritet të merret brenda pranverës.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin

Vështirësitë që po has Ukraina në furnizimin me armë nga vendet NATO, duke mos qenë pjesë e kësaj organizate, po shtyn Helsinkin nga ana e Aleancës Atlantike.

Një hyrje ne NATO sipas sondazheve përqafohet nga 61% e popullatës, e frikësuar nga zhvillimet e fundit dhe masakrat për të cilat akuzohet ushtria ruse. “Ukraina ka ndryshuar totalisht perceptimin që kemi për sigurinë. Finlanda duhet të përgatitet për skenare ushtarake”, deklaroi ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto.

 

You may also like