Në Gjermani çmimi i naftës vetëm 15 centë më shtrenjtë se në Kosovë

by admin
Spread the love

Në Gjermani, krahasuar me Kosovën, çmimi i naftës është vetëm 15 cent më shtrenjtë. Teksa në Kosovë çmimet të shtunën sillen mesatarisht rreth 1.75 euro, në Gjermani ato janë rreth 1.90, bazuar në të dhënat e faqes së derivateve atje. Por të ardhurat e qytetarëve të Kosovës janë gjashtëfish më të vogla krahasuar me ata që jetojnë në Gjermani.

Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Gjermani çmimet e derivateve pësuan rritje të jashtëzakonshme pasi shteti varej shumë nga nafta ruse. Çmimet u bën të papërballueshme për qytetarët, pavarësisht të ardhurave të larta. Sanksionet e Perëndimit vështirësuan edhe më shumë importin e naftës ruse.

Por qeveria e kancelarit Olaf Scholz mori vendim për të hequr akcizën e derivateve nga 1 qershori. Kjo politikë i ka ulur çmimet e derivateve për më shumë se 30 centë. Ky vendim do të jetë në fuqi për tre muaj e verës, deri më 1 shtator. Në këtë periudhë, gjermanët udhëtojnë më shumë.

Ndërkohë, në Kosovë çmimi i derivateve u rrit për gati 10 centë brenda një dite të premten. Çmimet janë rritur edhe më shumë gjatë së shtunës.

Krahasuar me një gjerman, të ardhurat e një kosovari janë gjashtëfish më të vogla.

Në Shqipëri, çmimet e derivateve janë mesatarisht 1.85 euro.

You may also like