Ndeshja me Kukësin, trajneri i Dinamos: Niveli i vështirësisë i lartë, jam i kënaqur me ekipin

by admin
Spread the love

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në prag të ndeshjes me Kukësin.

“Sa i përket pikëve që ka marrë skuadra në dy ndeshjet e fundit jam shumë i kënaqur, pavarësisht se djemtë kanë qenë të përqendruar për të marrë filozofinë sepse kur ndryshohen stafet lojtarët kanë pak vështirësi. Duhet pak kohë që të kemi një automatizim të veprimeve dhe sinkronizim të ideve të mia dhe djemtë sa më shpejt të arrijnë të përshtaten që të kapin formën e tyre individuale por edhe në grup dhe të arrijmë paraqitjen siç i takon klubit.

Kukësi?

Ky kampionat, përveç 2-3 skuadrave që kanë më tepër elementë dhe bëjnë diferencën, pjesa tjetër e ekipeve janë me shumë pak dallime. Këtë e vërteton edhe Kukësi që ne e respektojmë, pasi ka elementë mjaft cilësor. Këtë e ka treguar jo vetëm me rezultatet në kohët e fundit, por edhe me lojëra të mira. Mendoj se çdo ndeshje është një betejë në vete dhe është e paparashikueshme. Shkalla e vështirësisë nesër në Kukës është e dukshme, megjithatë ne do të bëjmë maksimumin dhe gjithçka për të arritur objektivin që ka skuadra.

Dinamo gati për konfirmimin?

Ne punojmë gjatë gjithë kohës që të përmirësohemi çdo ditë dhe çdo gjë e nisim nga vetja për të marrë maksimumin dhe për të bërë më të mirën ditën e ndeshjes. Gjatë kësaj periudhe 12 ditore kemi punuar shumë në aspektin psiko-motor. Ndoshta situata që mora skuadrën dhe koha e shkurtër, sepse brenda 8-9 ditësh kishim tre ndeshje, nuk më ka lënë mundësi dhe hapësira që të punoj më tepër në të gjithë komponentët e futbollit. Sa i përket Kukësit duhet ta shikojmë si ndeshjen e radhës dhe ta vlerësojmë siç duhet dhe siç e meriton. Kukësi është një kundërshtar që i ka vënë në vështirësi të gjitha skuadrat e tjera, kështu që nuk kemi luksin të mendojmë për asgjë tjetër, por të respektojmë veten, kundërshtarin dhe të bëjmë maksimumin në fushë për të arritur objektivin

Mungesat?

Kemi pasur shumë probleme me mungesat. Dihet mungesa e Danajt për 6 muaj. Kemi mungesën e Patrik Bardhit, Smaçit dhe Gudjabi, që është bërë i rëndësishëm për skuadrën. Gjithsesi, kam besim tek i gjithë grupi. Nëse ne do të mendojmë për ata që mungojnë, atëherë e kemi humbur betejën. E gjithë skuadra ka vlera dhe kam menduar se edhe ata që do i zëvendësojnë ata, janë alternativa shumë të mira. Do të bëjmë maksimumin, pasi punojmë në grup dhe shpresoj të mos i ndjejmë mungesat. Nuk ka justifikime për dëmtimet apo pritshmëritë që mund të na ndodhin në ndeshje.

Terreni?

Terreni i rënduar për shkak të reshjeve  është një faktor që e rrit shkallën e vështirësisë. Terreni është i njëjtë për të dy ekipet, por shkalla e vështirësisë rritet për faktin se kemi pasur ngarkesë ndeshjes në 8-9 ditë. Gjithsesi forca e karakteri që kanë treguar djemtë gjatë stërvitjes, si dhe mentaliteti i duhet nuk do të na fokusojë te terreni, por do të bëjmë maksimumin dhe të përshtatemi. Ndoshta është ajo që kam shprehur, që në aspektin fizik mbase na e vështirëson pak shkallën e prezantimit. Normalisht kur nuk je në gjendjen më të mirë fizike dhe kur përballesh edhe me terrene të rënduara dhe duke e pasur filozofinë e lojës te loja teknike, jo te forca. Ndaj mendoj se janë faktorë që mund të ndikojnë, por gjithmonë do të bëjmë maksimumin duke mos i shikuar si pengesa”.

You may also like