Natyra e mashtrimeve në Mediat Sociale (I)

by admin
Spread the love

Ja se si, tiparet e mediave sociale mund të lehtësojnë përhapjen e informacionit të rremë.

Përhapja algoritmike:

Algoritmet e bazuara në angazhim:

Platformat e mediave sociale shpesh përdorin algoritme, të cilat i japin përparësi përmbajtjes që shkakton angazhimin e përdoruesit (pëlqime, ndarje, komente dhe shikime).

Ky sistem favorizon, me ose pa dashje përmbajtje të sensacionale, të debatueshme ose të ngarkuara emocionalisht, të cilat shpesh përfshijnë brenda tyre dezinformata.

Natyra virale e keqinformimit

Informacioni mashtrues ose i rremë mund të bëhet shpejt viral, sepse ai është krijuar për të qenë tronditës ose për të shkaktuar reagime të forta emocionale, duke i bërë përdoruesit më të prirur të përfshihen.

Natyra virale bën që ai të arrijë audiencë të madhe shumë shpejt, shpesh përpara se të mund të kontrollohet ose të përgënjeshtrohet.

Sfida e kontrollit të fakteve

Shpejtësia me të cilën mund të përhapet keqinformimi shpesh tejkalon aftësinë e kontrolluesve të fakteve ose rregulloreve algoritmike, për ta kapur dhe korrigjuar atë.

Pasi keqinformimi është shpërndarë gjerësisht, korrigjimi i tij bëhet shumë më i vështirë.

Dhomat e jehonës:

Një “dhomë e jehonës” është një situatë ku besimet tuaja përforcohen përmes komunikimit dhe përsëritjes, brenda një sistemi të mbyllur. Në mediat sociale, kjo ndodh kur ju ekspozoheni, në pjesën më të madhe të kohës,  ndaj opinioneve dhe informacioneve që përputhen me mendimet tuaja ekzistuese.

Si ndodh?

Ne si përdorues priremi të ndjekim ose të angazhohemi me postime dhe persona, me të cilët na përputhen interesat dhe pikëpamjet.

Algoritmet e mediave sociale i zbulojnë këto preferenca tonat dhe vazhdojnë të na ushqejnë me postime e përmbajtje të ngjashme. Dhe kështu na e kufizojnë ekspozimin ndaj këndvështrimeve të ndryshme nga tonat.

Pasojat:

Dhomat e jehonës mund të krijojnë një pamje të shtrembëruar të realitetit, duke na bërë që ta perceptojmë mendimin tonë, sikur është më gjerësisht i pranuar, se sa është në të vërtetë.

Ky efekt kontribuon për polarizimin, pasi mendimet e kundërta i ndeshim ose i marrim parasysh rrallë.

Brenda fluskës

Një flluskë filtri (filter bubble) është një gjendje izolimi intelektual. Ajo ndodh kur faqet e internetit përdorin algoritme për të gjetur se çfarë informacioni do të donim të lexonim dhe shikonim, në sjelljen tonë të mëhershme, historikun e kërkimeve tona online dhe klikimet e mëparshme.

Si ndodh?

Algoritmet në mediat sociale dhe motorët e kërkimit krijojnë një furnizim me informacione online, të “qepur” posaçërisht për ne dhe shijet tona.

Ato i japin përparësi artikujve që mendojnë se do të na angazhojnë më shumë. Dhe kështu na izolojnë gradualisht nga informacioni që kundërshton besimet ose preferencat tona.

Pasojat

Kjo gjë na izolon në në fluskë ideologjike ose kulturore.

Bëhemi gjithnjë e më të shkëputur nga mendime e pikëpamje të ndryshme, gjë që çon në një shoqëri gjithnjë e më të fragmentuar, ku bëhet e vështirë të kuptohesh me tjetrin.

Duhet t’i kuptojmë mirë dhomat e jehonës dhe filtrat ku na fusin mediat sociale me algoritmet e tyre. Sidomos në një botë ku vija ndarëse mes faktit dhe opinionit është gjithnjë e më e paqartë. Kështu do ta kuptojmë më mirë botën që na rrethon.

You may also like