“Myler 500”, bavarezi nga një tjetër planet: Radha e Leverkusenit, pres të jem titullar

by admin
Spread the love

Bajern Mynih mbylli me sukses javën e 20-të në Bundesligë, duke korrur fitoren e radhës, e cila e lë të pandryshuar diferencën me Leverkusen, teksa “aspirinat” bënë detyrën në transfertën e Darmshtad. Tomas Myler po ashtu e festoi denjësisht triumfin numër 500 me fanellën e klubit bavarez.

NDESHJA-Në këtë ditë të shënuar për Tomas Myler, trajneri i kampionëve të Bundesligës, Tomas Tuhel i besoi rolin e titullarit, së bashku me Xhamal Musiala dhe Leroi Sane, ndërkohë në majë të sulmit pozicionohej i zakonshmi Herri Kejn. Goli i parë i ndeshjes edhi pikërisht nga gabimi i Mylerit me autor Elvedi. Manuel Nojer ia pasoi në linjë horizontale lojtarit 34-vjeçar, por mbulimi i rreptë nga mbrojtja mike bëri që futbollisti me numër “25” në gjirin e rekordmenëve të Gjermanisë të gabonte. Gjithsesi vendasit gjetën forcën për të reaguar në 45′ e para me talentin Pavloviç, ardhur prej asistit të Mylerit. “Plakushi” bavarez ndikoi pozitivisht edhe në golin e dytë, me finalizues Herri Kejn, ndërsa De Ligt mbylli llogaritë e duelit në minutën e 86′, 3-1. Tomas Myler në këtë mënyrë “arkëtoi” fitoren numër 500, e ardhur nga 690 prezenca në total, bashkangjitur me 237 gola dhe 214 asiste. Pas ndeshjes nuk kishte si të mungonin edhe fjalët e protagonistit:

MYLER-“Nuk jam adhurues i madh i përvjetorëve. Ndjesi e veçantë kur merr fanellë si dhuratë nga klubi me këtë numër fitoresh të jashtëzakonshme. Tashmë pret Leverkusen në shtëpi dhe do të jetë sërish një atmosferë e zjarrtë edhe me shumë tensione. Të jem realist, pres që trajneri Tuhel të më besojë rolin e titullarit kundër kryesuesve ditën e shtunë. Besoj se do të finalizojmë objektivin, marrjen e kreut. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe jam tepër i motivuar. Të shohim se çfarë do të ndodhë. I lumtur për afrimet në skuadër përgjatë merkatos së dimrit. Shtimi i forcave në reparte të ndryshme rrit konkurrencë. Lëndimet në masë kanë efekte, ama i kemi përballur mirë.

Mjafton ta hedhim vështrimin në ballafaqimin me Mëshengladbah. E nisëm në disavantazh dhe më pas e kthyem rezultatin në favorin tonë, kundër një ekipi hermetik në prapavijë. Ekipi meriton vlerësim. Rruga është e gjatë deri në përfundim të sezonit, por mbizotërimi i frymës pozitive rrit zjarrin në ekip për të shtyrë gjithmonë e më shumë”, përfundoi Tomas Myler. Më datë 10 shkurt do të maten forcat mes Leverkusenit dhe Bajernit në “BayArena”. Në rast fitoreje prej Herri Kejn me shokë, bavarezët do të ngjiteshin në krye të ligës, megjithatë një sukses i mundshëm i të besuarve nga Ksabi Alonso do e zgjeronte akoma më tepër hendekun e pikëve.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

You may also like