Mund të shkaktojë vdekjen para kohe – Shqip

by admin
Spread the love

Ishte mëngjes herët pranverën e vitit 1969 në Pittsburgh të Pensilvanisë. Jeremy Nobel zbriti poshtë në dhomën e pritjes pasi u bë gati për shkollë. Ai e gjeti babanë e tij të ulur në kolltuk, krejtësisht i zbehtë dhe qartësisht në dhimbje. Ai i tha Jeremy-t, i cili në atë kohë ishte vetëm 15 vjeç, të zgjonte nënën e tij për ta ndihmuar. Ambulanca mbërriti pak çaste më vonë, i vunë babait të tij një maskë oksigjeni në fytyrë dhe e dërguan në spitalin më të afërt. Ishte ky moment, hera e fundit që ai e pa babanë e tij gjallë, pasi ai vdiq nga një atak në zemër në moshën 47-vjeçare.

Jeremy Nobel:

Pas vdekjes së babait të tij, Jeremy u ndje i pafuqishëm, megjithatë vijoi të ndiqte shkollën dhe të dilte me miqtë. Ai përjetoi atë që e quan “vetmia shpirtërore. Ai pyeste vazhdimisht veten se sa vlente jeta e tij dhe a do mund të krijonte një të ardhme. Ai s’kishte biseduar kurrë me miqtë e tij për vdekjen e të atit.

Vetmia ishte thellë brenda meje”, shprehet ai. Teksa e kujton, Jeremy thotë se ajo ditë ishte përcaktuese për gjithçka pasoi. Ai ka mbaruar studimet në Shkollën Mjekësore të Harvardit, e tani, 50 vite më vonë ai ka shkruar një libër për të ndihmuar të gjithë ata që mund të kalojnë të njëjtat rrethana. “Project Unlonely: Healing Our Crisis of Disconnection” është titulli i librit të tij, i cili ka dalë në treg muajin e kaluar. Me pak fjalë, libri është si një manual për të hequr qafe ndjesinë e vetmisë dhe pasigurive. Këto të fundit ndikojnë shumë në shëndetin tonë mendor.

Po pse është kaq i rëndësishëm ky libër?

Sepse ai vjen fiks në kohën e duhur! Këtë vit, ekspertët thonë se në Shtetet e Bashkuara kanë arritur shifra alarmante njerëzit e vetmuar, duke e cilësuar të gjithë fenomenin si një “epidemi” ose “krizë publike shëndetësore.” Thuhet se pandemia ndikoi tepër në rritjen e rasteve të këtij lloji, por edhe para saj, shumë adultë amerikanë shpreheshin se po përjetonin vetminë.

Ndonjëherë është normale të duash të rrish vetëm, por një tentativë për të qenë shumicën e kohës i izoluar nga të tjerët shkakton jo vetëm ankth, por edhe probleme kardiovaskulare, demencë, goditje në tru, depresion e deri në vdekje të parakohshme. Sipas disa statistikave të dala në Tetor, thuhej se ky ishte kthyer në një problem global, pasi një në 4 persona, nga 140 vende të analizuara, vuante nga vetmia.

Jeremy Nobel thotë se “vetmia nuk është sëmundje, por një gjendje mendore, një emocion.” Ai thekson se ndjesia e vetmisë ka të bëjë me mungesën e diçkaje, është njësoj si të jesh i dehidratuar, por të mos duash të pish ujë. “Mund të vdesësh nga kjo gjë”, shton ai. Ai e ka studiuar këtë lloj gjendje te njerëzit për plot 20 vite, aq sa arriti të shkruante për të. Ideja për ta kthyer në libër gjithçka kishte mësuar, lindi që në vitet 1980 kur ai ishte në Boston, teksa punonte si mjek. Puna e tij me pacientë të moshave dhe profileve të ndryshme, e bëri të kuptojë se vetmia “po kaplonte shoqërinë amerikane”.

Për Jeremy-n, mënyra për të shpëtuar nga vetmia lidhet me artin. Ai shprehet se kur vizitioi një ekspozitë arti në 2022-in, u ndje krejtësisht ndryshe. Studimet tregojnë se kreativiteti ndihmon në krijimin e lidhjeve sociale. Ka një lidhje unike mes artit dhe shëndetit!

Një arsye e madhe pse njerëzit nuk shprehen mbi vetminë është fakti se ndihen të gjykuar, gjë që i privon nga marrja e ndihmës së duhur. Por pandemia shërbeu për një gjë: I bëri të gjithë njerëzit të ndihen të vetmuar, sëbashku. Ndoshta tani, njerëzit do e kenë më të thjeshtë ta flasin atë që përjetojnë./tvklan.al

You may also like