Mot i çmendur! Stuhia Hilary godet Kaliforninë, shpërthejnë zjarre nga SHBA në Europë

by admin
Spread the love

Stuhia Hilary u përplas me furi në gadishullin e Baja California të Meksikës, duke u bërë shkas për përmbytje vdekjeprurëse të dielën.

Stuhia vazhdoi të lëvizte drejt pjesës jugore të Kalifornisë, ku mbushi rrugët me ujë e rrëzoi pemë. Autoritetet druhen se përmbytjet mund të prekin edhe pjesë të tjera të vendit, deri në zona veriore si Ajdaho.

Sipas parashikuesve të motit, kjo është hera e parë në 84 vjet që Kalifornia Jugore goditet nga një stuhi tropikale. Veç vërshimit të ujërave, Hilary solli edhe rrëshqitje dheu, erëra të forta, ndërprerje të energjisë dhe rrezik për tornado. Në disa rajone malore, ranë më shumë se 15 centimetra shi, duke iu afruar shifrave vjetore të reshjeve në zonat me shkretëtirë. Shërbimi Kombëtar i Motit në Los Anxhelos paralajmëroi për rrezik të konsiderueshëm nga përmbytjet në verilindje të qytetit.

“Ju lutem, qëndroni larg rrugëve”, shkroi ai në platformën X, të njohur më parë si Twitter. Një person u mbyt në qytetin meksikan Santa Rosalia në automjetin e tij për shkak të përmbytjeve. Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë arritën të shpëtonin 4 persona të tjerë. Pjesë të tjera të SHBA-së ndërkohë përballen me një të nxehtë përvëlues e zjarre shkatërrimtare.

185 struktura, shumica e të cilave objekte banimi u shkrumbuan prej tyre në shtetin lindor amerikan të Uashingtonit. Në Kanada, po ashtu mijëra banorë të British Columbia u urdhëruan të evakuohen gjatë fundjavës ndërsa për zonën u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Zjarret po vazhdojnë të zhurisin toka e të rrezikojnë jetë njerëzish edhe në Europë. Flakët ndriçuan qiellin e ishullit spanjoll, Tenerife në orët e para të së dielës, ndërsa një zjarr i egër që shpërtheu në veri të ishullit mbeti jashtë kontrollit.

Shkencëtarët vazhdojnë të insistojnë se ndryshimi i klimës ka çuar në ngjarje më të shpeshta dhe më të fuqishme të motit ekstrem.


Top Channel

You may also like