MOSKE – Rusia: Anëtarësimi i Ukrainës në BE dëmton gjithë sistemin e bllokut evropian

by admin
Spread the love

MOSKE, 22 dhjetor /ATSH- AA/ – Rusia ka deklaruar se Ukraina mund të “minojë” gjithë sistemin e Bashkimit Evropian nëse vendi bëhet anëtar i bllokut evropian.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ky vend do të jetë një “ngarkesë që BE-ja nuk do të jetë në gjendje ta heqë”.

“Ka shumë fjalë, por me të vërtetë, sigurisht, të pranosh një vend si Ukraina në BE, thjesht do të minonte të gjithë sistemin e BE-së. Drejtuesit e matur e kuptojnë se kjo do të jetë një ngarkesë nga e cila BE-ja thjesht nuk mund të ngrihet dhe BE-ja do të shpërbëhet”, tha Peskov.

Ai theksoi se aktualisht zyrtarët e BE-së vetëm po diskutojnë mundësinë e dhënies së anëtarësimit për Kievin dhe përvoja tregon se diskutime të tilla mund të zgjasin për dekade.

I pyetur për përpjekjet për të marrë në mënyrë të paligjshme asetet e Rusisë në vendet perëndimore, Peskov paralajmëroi se një precedent i tillë, nëse ndodh, do të ketë një efekt shkatërrues në të gjithë sistemin financiar global.

“Tema e sekuestrimit të paligjshëm të aseteve tona vazhdimisht është në agjendë, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë. Ata që përpiqen ta inicojnë këtë dhe ata që do ta zbatojnë këtë, duhet ta kuptojnë se Federata Ruse nuk do t’i lërë kurrë të qetë ata që e bëjnë këtë”, theksoi ai.

Pasi Rusia filloi “operacionin special ushtarak” në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, SHBA-ja dhe BE-ja kanë ngrirë miliarda asete të saj financiare.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like