Mijëra protestues pro-palestinezë mblidhen para selisë së BBC në Londër, dhjetra marshime kryhen në Britani kundër bombardimeve në Gaza (fotot)

by admin
Spread the love

Protestuesit kundër luftës në Gaza u mblodhën sot para selisë së rrjetit BBC në Londër teksa 40 marshime dhe protesta ishin planifikuar në të gjithë Britaninë, shkruan e përditshmja Daily Mail.

Dhjetra mijëra njerëz dolën sot sërish në rrugët e qyteteve kryesore britanike teksa policia në Londër i ndalonte ata të mblidheshin para ambasadës izraelite.

Protestuesit me pankarta dhe flamurë palestinezë kërkonin armëpushim para selisë së rrjetit shtetëror BBC, dhe mbrojtje të jetëve njerëzore.

Ata më pas u ulën në kryqëzimet kryesore dhe në sheshin qendror Trafalgar Square.

Javën e kaluar më shumë se 100,000 njerëz marshuan në Londër dhe në masë të ngjashme në qytete e tjera të mëdha.

Policia kishte njoftuar më herët në rrjetet sociale: “Të shtunën presim të tjera protesta pro-palestineze. Oficerët do të jenë në detyrë për të siguruar rendin dhe trajtuar këdo që shkel ligjin”.

Sot në mesditë mijëra njerëz ishin mbledhur para selisë qendrore të BBC në Londër para marshimit në kryeqytet.

Shumë mbanin parulla dhe flamurë palestinezë ku akuzonin qeverinë britanike dhe rrjetin BBC si “fajtorë”.

Një folës mes tyre thoshte: “Fitore për rezistencën palestineze, derisa të ketë liri për Palestinën dhe kur shteti sionist, monstruoz i Izraelit të jetë shpërbërë tullë pas tulle”.

Mes brohoritjeve përfshiheshin  ‘ Palestina e lirë’, ‘rroftë Palestina’ si dhe ‘nga lumi deri te deti, Palestina do të jetë e lirë’, duke iu referuar territorit historik nga lumi Jordan deri në detin Mesdhe.

Policia tha se kishte bllokuar disa grupe protestuesish të hynin në rrugët kryesore tregtare në Londër, ndërsa protesta të ngjashme u kryen në Newcastle, Manchester, Belfast e Glasgow.


Top Channel

You may also like