Mehaj takon homologun italian: FSK-ja e gatshme të ofrojë trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit

by admin
Spread the love

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar homologun e tij italian, Guido Crosetto, me të cilin folën rreth bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve në fusha specialistike, forca speciale, aviacion e mjekësi.

Mehaj i ofroi Crosettos gatishmërinë që FSK-ja të ofrojë trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit urban, deminimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

“Përveç të tjerash biseduam dhe për situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, dhe rëndësinë e unitetit për mbështetjen e ukrainasve në luftën kundër agresorit rus”.

“Në këtë aspekt bëra të ditur se Kosova mbanë qëndrim të qartë kundër politikave ruse, dhe në vazhdimësi si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, jemi duke ofruar gjithçka që është e mundshme brenda kapaciteteve tona, duke përfshirë pranimin e refugjatëve si dhe integrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë”, shkroi Mehaj, transmeton Klankosova.tv.

Ai, më tej tha se me Italinë, Kosova do të vazhdojë thellimin e bashkëpunim, që sipas tij, është në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like