Maldini: Kalulu ka kaluar pritshmëritë. Blerësit e rinj? Jemi të fokusuar te gara

by admin
Spread the love

Në vigjilje të përballjes së Milanit me Genoan, në mediat italiane është ndalur drejtori Paolo Maldini. Sipas ish-qendërmbrojtësit legjendar të kuqezinjve, paraqitja që ka bërë deri më tani Kalulu ka surprizuar gjithkënd. Maldini ka komentuar edhe situatën në sulm, referuar mungesave të gjata të Ibrës.

“Në janar nuk ishte mundësia që të ndërhynim në merkato. Ishim mirë me alternativat, ashtu siç ndihemi edhe tani. Sigurisht, që mungesa të gjata të Ibrës, janë një mangësi për ne dhe ndikojnë. Sa i përket mbrojtjes, jemi mirë dhe të mbuluar. Me atë që ka treguar deri më tani Kalulu, ka kaluar të gjitha pritshmëritë”.

Së fundmi, Milan është përgatitur edhe për festën e titullit, duke ndjekur protokollin në avancë si të ishte shpallur kampione. Për çështjen titull, ka dhënë opinionin e tij edhe ish-kapiteni i kuqezinjve.

“Mendoj se kemi bërë një punë të mirë këtë sezon në përgjithësi, por edhe javën e fundit për ta përgatitur ekipin siç duhet. Mirëpo, jo gjithmonë pasqyrohet në fushë puna që bëhet gjatë javës përgatitore për një ndeshje të caktuar. Sa më shumë kalon koha, aq më të pakta janë mundësitë, shoqëruar edhe me fitoret e Interit, bëhet edhe më e rëndësishme që të fitojmë dhe të mos bëjmë më hapa fals”.

Në shtëpinë e Milanit, ka dalë në skenë edhe një çështje sa i përket investitorëve të rinj nga Bahrein të interesuar për aksionet e klubit.

“Personalisht di pak rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, është normale që në një të ardhme, Milani të ketë edhe opsione për shitjen. Me kaq pak javë nga fundi, interesi i shoqërisë është që të shkojmë deri në fund në garën për titull duke triumfuar dhe të synojmë gjithashtu edhe Kupën e Italisë. Kështu që për momentin, përqendrimi maksimal i klubit është në kampionat dhe kupë”, ka deklaruar Maldini për DAZN. / Oversport.tv

Foto: AC Milan Facebook

You may also like