Lojtarët më efikasë, mungon Haland dhe Salah/ Ja futbollistët më të mirë të Premier Ligës

by admin
Spread the love

Është zbuluar lojtari më i çmuar i çdo klu bi të Premier Ligës bazuar në pikët e fituara mesatarisht për ndeshje prej sezonit të shkuar, me disa rezultate befasuese për klube si Mançester Junajtid dhe Siti. “The Telegraph” ka bërë një analizë të pikëve të fituara nga lojtarët prej 2022-23 për ndeshjet në të cilat ata kanë luajtur.

Klasifikimi vlen për ata që kanë bërë një paraqitje minimale prej 35 ndeshjesh në atë kohë, me përjashtim të vetëm të skuadrave të ngjitura këtë sezon, Bërnlej, Shefilld Junajtid dhe Luton. Një nga surprizat më të mëdha vjen në Mançester Siti, ku pavarësisht se Rodri ka një ecuri pathyeshmërie që shtrihet gjatë një viti të plotë kalendarik, është në të vërtetë Xhek Grilish (2.55 pikë për ndeshje) ai që ka rekordin më të mirë të pikëve për nga kushdo tjetër në Premier Ligë.

Faktori më i madh që kontribuon është se Grilish ka një rekord prej 81 për qind të fitoreve kur ka luajtur gjatë kësaj periudhe për “qytetarët”, krahasuar me 75% të Rodrit. Megjithatë, spanjolli ka bërë 61 paraqitje që nga fillimi i sezonit të kaluar, ndërsa Grilish ka bërë 42.

Një tjetër surprizë vjen nga Kasemiro, i cili është lojtari më i vlefshëm i Mançester Junajtid me dy pikë për ndeshje, pavarësisht sezonit të tij të dytë të vështirë. Herri Meguajër ka një rekord më të lartë pikë-përndeshje, me 2.19, megjithëse ai nuk klasifikohet për shkak se ka tri paraqitje më pak nga 35, që është vendosur si dysheme për këtë renditje.

Lojtari me raportin më të lartë të pikëve për ndeshje nga Arsenali është Uilliam Saliba, i cili ka fituar mesatarisht 2.36 pikë nga 55 ndeshjet e tij që nga fillimi i sezonit të kaluar. Lojtari më i vlefshëm i Liverpulit është Diogo Zhota, i cili ka marrë 2.15 pikë për ndeshje, me “reds”-at që kanë humbur vetëm pesë nga 41 ndeshjet e Premier Ligës në të cilat portugezi ka luajtur, duke i dhënë atij epërsinë ndaj Mohamed Salahut. Zhota aktualisht është jashtë me një dëmtim dhe rikthimi i tij, siç dëshmohet nga këto shifra, mund të jetë vendimtar për skuadrën e Klopit në luftën e tyre për titull me Arsenalin dhe Mançester Sitin.

Lojtari më i vlefshëm i Çelsit është Konor Gallager, por 1.34 pikët e tij për ndeshje tregojnë pse blutë përfunduan në gjysmën e dytë të tabelës sezonin e kaluar dhe mbeten jashtë 10 vendeve të para, ashtu siç janë gjërat këtë sezon.

LOJTARET

Lojtarët e Brentfordit me Xhosh Dasilva (1.51), Antuan Semenio i Bornmëthit (1.43), Fulhami me Uillian (1.53), dhe Uolvesi me Totin (1.55) të gjithë kanë lojtarë me mesatare më të lartë pikë për ndeshje se sa më të mirët e Çelsit. Aleks Moreno ka një mesatare mbresëlënëse 1.83 pikë për ndeshje që kur ai mbërriti në “Villa Park” sezonin e kaluar, vetëm me Kristian Romeron e Totenhemit përpara, me 1.84 pikë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

You may also like