Lewandowski tregon recetën sesi Barcelona mund të fitojë Championsin

by admin
Spread the love

Barcelona u rikthye pas 4 vitesh që të jetë pjesë e 8 më të mirave të Europës, teksa në rrugën e saj ishte përballë dy herë Napoli, me të njëjtin rezultat të përgjithshëm madje, 4-1 (1-1 në Napoli dhe 3-1 në Katalonjë).

Gjithsesi, ky kualifikim i fundit vlen shumë, për dy arsye: e para që të vazhdojnë të jenë në lojë për një mrekulli të quajtur Champions, duke parë se kampionati duket tepër i vështirë për t’u arritur, ndonëse në futboll asgjë nuk është e pamundur…

Dhe e dyta lidhet me Ksavin dhe paktin brenda skuadrës, mes lojtarëve, për ta përshëndetur në mënyrën më të mirë trajnerin dhe njëkohësisht një nga legjendat e Barcelonës, pasi në fund të këtij sezoni ai do të largohet.

Dhe sigurisht që kur loja ndizet peshën më të madhe e mbajnë mbi super senatorët, veteranët, kampionët e mëdhenj si Robert Levandovski, i cili duke parë momentin e vështirë të katalanasve, ka hequr dorë edhe nga egoizmi për të luajtur vetëm në qendër të zonës rivale, por të punojë dhe të sakrifikohet shumë për ekipin, duke zbritur shpesh deri në mesfushë, gjë e cila i kushton edhe një numër të konsiderueshëm rastesh për shënim.

Gjithsesi, polaku duket se është i lumtur edhe kështu dhe mbi të gjitha nuk ka frikë që të flasë hapur dhe të bëjë apel për të korrigjuar disa aspekte, që u panë qartë në ndeshjen e kthimit ndaj Napolit, në Barcelonë. Në një deklaratë për “Polsat Sport”, ish-bavarezi pranon se vërtet Barça ka shumë talent në përbërje, me të rinj ekzaltues, por këta duhet të mësojnë sa më shpejt që sidomos në Champions nuk bëhen lojëra me fatin, por duhet gjakftohtësi dhe cinizëm. Por akoma më shumë se kaq, sa më shumë gola në çdo ndeshje.

“U bë një periudhë e gjatë që vërtet ndërtojmë shumë në fushë, por në fund shënojmë fare pak nga numri i rasteve që krijojmë.

Nuk e di nëse mund të quhet fat i keq, por unë di të them se diçka e tillë nuk falet në Champions, nëse kërkon që të shkosh sa më larg. Në sfidën ndaj Napolit, nëse do të ishim pak më të qetë, më të kthjellët, më pak të nxituar, duhej ta kishim mbyllur pjesën e parë në avantazh 3 apo 4-0. Ndërkohë, e lamë sfidën të hapur deri në momentet e fundit dhe nuk është absolutisht kjo receta për të kërkuar apo shkuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Pa dyshim që në fillim na duhet të presim se cili do të jetë kundërshtari i ardhshëm, por cilido qoftë ai, nëse ne arrijmë që të shënojmë shumë, në çdo sfidë, nuk ka shanse që të na mundin. Për sa i përket talentit, mendoj se të gjithë e shohim se në përbërje kemi me shumicë, por ajo që duket gjithashtu hapur është se na mungon përvoja. Kundër Napolit shënuam një gol të dytë dhe ulëm ritmin, diçka që nuk pranohet në Europë, sepse pikërisht në momentin që ke në dorë kundërshtarin, kur ai është i trullosur nga goli i pësuar duhet ta sulmosh dyfish më fort për të mbyllur sa më shpejt ndeshjet, – vazhdon Leva, për televizionin sportiv polak.

– Më vjen mirë që Barceoona ka nisur gjithashtu një fazë rinovimi të skuadrës, por këtu ka aq shumë të rinj, adoleshentë të talentuar, sa si ndër më të vjetrit e skuadrës, ndihem përgjegjës për ta. Çdo ditë i flas, çdo ditë dua t’i mësoj jo sesi të luajnë futboll, por sesi të konceptojnë situatat e lojës. Kur duhet të fitosh, nuk ka nevojë që ta kërkosh të shënosh shpejt, por të shënosh sa herë që të jepet mundësia, të shfrytëzosh rastet që të paraqiten. Dhe nëse ne do të dërgonim në rrjetë gjysmën e atyre që ndërtojmë e krijojmë do të kishim kursyer shumë forca fizike dhe psikologjike.

Gjithsesi, është gjithashtu e vërtetë se Barcelona po kalon një moment tranzicioni, në të cilën shumë të rinj po bëhen gati që të mbajnë peshën e të ardhmes.

Por unë mendoj se momenti për t’u rritur të gjithë bashkë ka ardhur, pasi jemi në çerekfinalet e Champions-it dhe sërish të gjithë duhet ta kuptojmë rëndësinë e këtij turneu dhe të asaj që kemi arritur. Objektivi është të shkojmë në gjysmëfinale, receta është që të shënojmë sa më shumë që të krijojmë dhe kaq duhet për të realizuar ëndrrat në Champions”, përfundoi 35-vjeçari.

You may also like