Kremlini paralajmëron tensione: NATO, Shengen ushtarak në Europë!

by admin
Spread the love

NATO po kërkon të ketë një “Shengen ushtarak” në Europë, thotë Kremlini, me qëllimin t`i lejojë forcat e saj të armatosura të lëvizin lirshëm për t’iu kundërvënë Rusisë, por kjo sipas tij do të shtojë tensionet.

Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, paralajmëroi se vendi i tij do të përgjigjet nëse një propozim i tillë bëhet realitet. Reagimin e Moskës e nxiti një deklaratë e shefit të komandës logjistike të NATO-s, Gjeneral Lejtnanti Alexander Sollfrank, i cili pohoi për Reuters se do të dëshironte të shihte një “Shengen ushtarak”.

“Jam i shqetësuar se burokracitë e tepërta në kontinentin e vjetër po pengojnë lëvizjet e trupave, një problem që mund të shkaktonte vonesa të mëdha nëse do të shpërthente një konflikt me Rusinë. Po na mbaron koha. Atë që nuk e bëjmë në kohë paqeje, nuk kemi për ta bërë dot në rast krize ose lufte”, shtoi Sollfrank.

Aleanca veri-atlantike po e mbështet në mënyrë aktive Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe Kievi shpreson që një ditë të bashkohet me të. Vetë NATO-ja sidoqoftë e ka shmangur konfliktin e drejtpërdrejtë me Rusinë. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe liderë të tjerë perëndimorë e kanë pohuar hapur se nuk e duan përplasjen frontale me Moskën për shkak të arsenalit të saj të madh bërthamor. Në fjalën e tij, Sollfrank argumentonte se Rusia mund të ketë një shans për të fituar sepse aleanca nuk është e përgatitur.

“Ne duhet të jemi një hap para. Duhet të përgatisim shumë përpara se të aktivizohet neni 5”, u shpreh ushtaraku i lartë duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s, e cila e vendosur praktikisht në luftë.


Top Channel

You may also like