Kraja i kundërpërgjigjet SShSh-së: Analizën s’mund ta publikoja pa vendim të kryesisë

by admin
Spread the love

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, i është kundërpërgjigjur Seksionit të Shkencave Shoqërore të AShAK-ut, pasi këta të fundit thanë se një tekst i analizës i publikuar nga Kraja po e dëmton imazhin e akademisë.

Kraja në përgjigjen e tij ka thënë se analizën “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nuk do të mund ta publikonte pa vendim të kryesisë, njofton Klan Kosova.

“E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”.

“E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të tij në Facebook:

Lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK rreth tekstit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” e shoh të nevojshme të sqaroj si në vijim:

E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi.

E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime:

  1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime;
  2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;
  3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;
  4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
  5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;
  6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë;
  7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj.

Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022).

Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.

Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.

Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti.

Mehmet Kraja

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Për ta lexuar reagimin e Seksionit të Shkencave Shoqërore të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, klikoni në linkun e mëposhtëm.

Seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK-ut, kundër publikimit të kryeakademikut Kraja (DOKUMENT)

klankosova.tv

You may also like