Koreja e Veriut kërcënon Seulin, lëshon 60 predha artilerie pranë ishullit kufitar të Koresë së Jugut

by admin
Spread the love

Koreja e Veriut vijon të kërcënojë Korenë e Jugut, ndërsa ka lëshuar edhe edhe njëherë dhjetëra predha artilerie drejt ishullit kufitar të Yeonpyeong.

Lajmi është bërë i ditur nga burime ushtarake të Koresë së Jugut, një ditë pasi të dyja palët organizuan stërvitje me zjarr të vërtetë në të njëjtën zonë pranë kufirit të tyre detar.

“Forcat e Koresë së Veriut shtinë zjarr me mbi 60 predha artilerie” në veriperëndim të ishullit Yeonpyeong të shtunën pasdite, tha në një deklaratë Shefi i Shtabit të Përbashkët të Seulit.

Të premten, Koreja e Veriut gjuajti më shumë se 200 predha artilerie pranë Yeonpyeong dhe Baengnyeong, dy ishuj me popullsi të ulët në jug të një kufiri defakto detar midis dy palëve.

Banorët e dy ishujve u urdhëruan të evakuoheshin në strehimore dhe tragetet pezulluan lëvizjen gjatë një prej përshkallëzimeve më serioze ushtarake në gadishull që kur Pheniani shënjestroi me raketa një nga ishujt në vitin 2010.

Ushtria e Seulit tha të shtunën se “zjarri i përsëritur i artilerisë brenda zonës së veprimit të ndaluar armiqësor nga Koreja e Veriut përbën një kërcënim për paqen në Gadishullin Korean dhe përshkallëzon tensionet”.

“Koreja e Veriut, pas pretendimit të saj për anulimin e plotë të ‘Marrëveshjes Ushtarake të 19 Shtatorit’, vazhdon të kërcënojë qytetarët tanë me zjarr të vazhdueshëm artilerie brenda zonës së ndaluar të veprimit armiqësor“- tha JCS, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2018, ndërsa shtoi se: “Si përgjigje, ushtria jonë do të marrë masat e duhura.”


Top Channel

You may also like