KOMENT – Vizita e sekretarit Blinken në Tiranë tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare

by admin
Spread the love

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ – Vizita në Tiranë e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken tërhoqi sot vëmendjen e medias ndërkombëtare.

”The Washington Post”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton sot Shqipërinë për të riafirmuar marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër pushtimit të plotë të Rusisë.

Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë dhe do të fokusohet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, pasi Shqipëria dhe disa fqinjë kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë.

Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE.

SHBA ka vlerësuar lidershipin e Shqipërisë në ish-rajonin e shkatërruar nga lufta dhe rolin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një anëtare jo e përhershme.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka caktuar rregullisht njësi të vogla të ushtrisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe operacionet e NATO-s.

Shqipëria do të presë një samit ndërkombëtar për Ukrainën në fund të këtij muaji, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Euronews

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Shqipëri për një vizitë njëditore. Zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë takime me krerët e shtetit, të rinjtë dhe afganë të strehuar në vend.

Vizita e diplomatit amerikan po cilësohet nga ekspertët e diplomacisë si historike dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në aeroportin e Tiranës, Blinken u prit nga ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani.

Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të kahershëm, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë mes vendeve dhe njerëzve tanë, shkroi Hasani në X.

Radio ”Evropa e Lirë”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken falënderoi Shqipërinë për strehimin e rreth 2 500 afganëve, që ikën nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve gushtin e vitit 2020.

Ai u takua më herët gjatë ditës me disa prej këtyre familjeve afgane, që po presin të shkojnë në SHBA.

”Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që po i prisni ata, por edhe mënyra se si po e bëni këtë”, tha Blinken.

Blinken tha se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë amerikane ka gjetur një partner të besueshëm te kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se ai ka qenë ”pranë nesh dhe vështirësitë e kemi tejkaluar së bashku”.

Kryediplomati amerikan vlerësoi lart lidhjet mes popullit amerikan dhe atij shqiptar.

Vizita e kryediplomatit amerikan po vlerësohet nga njohës të diplomacisë si historike dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

”Zëri i Amerikës”

Vizita e Blinken merr një rëndësi të veçantë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar angazhimin amerikan në këtë rajon përballë përpjekjeve destabilizuese të Rusisë.

Në këtë kontekst kjo shihet dhe si një vlerësim për rolin e Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë e rajonit.

”Associated Press”

Shqipëria është një aleate kyçe rajonale e SHBA që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në bllok.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në Shqipëri për një vizitë zyrtare. Blinken do të angazhohet në diskutime me zyrtarë të lartë shqiptarë, duke u fokusuar veçanërisht në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, së bashku me disa vende fqinje, po kërkon në mënyrë aktive anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një synim i mbështetur fuqishëm nga Uashingtoni.

”Voice of Europe”

Vizita e Blinken mund të adresojë edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për të lehtësuar negociatat që synojnë normalizimin e marrëdhënieve të tyre kanë përparuar ngadalë, ndërsa incidentet e dhunës kanë ngritur shqetësime për stabilitetin.

Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe BE-ja kanë shprehur shqetësime për vendimin e fundit të Kosovës për të ndaluar dinarin si monedhë në komunat me shumicë serbe.

Për më tepër, Blinken do të njohë rolin e rëndësishëm të Shqipërisë pas marrjes së pushtetit në Afganistan nga talebanët, në gusht 2021.

Shqipëria u siguroi shpejt strehim rreth 3 200 afganëve përpara se të zhvendosen në SHBA.

Pas vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të udhëtojë në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like