KINEMA – Artistët denoncojnë linçimin e përbindëshit të fundit të shenjtë të ekranit

by admin
Spread the love

PARIS, 26 dhjetor /ATSH-AFP/ – Rreth 60 artistë francezë denoncuan linçimin e yllit të kinemasë, Gérard Depardieu, i paditur për përdhunim që nga viti 2020 dhe në qendër të një skandali që është bërë politiko-mediatik pas transmetimit të fundit në televizion të një dokumentari.

Ndër nënshkruesit e kësaj letra, të botuar dje në mbrëmje në të përditshmen ”Le Figaro” janë regjisori Bertrand Blier, aktoret Nathalie Baye, Carole Bouquet dhe Charlotte Rampling, aktorët Jacques Weber, Pierre Richard dhe Gerard Darmon, por edhe këngëtarët Roberto Alagna, Carla Bruni, Arielle Dombasle dhe Jacques Dutronc.

“Gerard Depardieu është ndoshta aktori më i madh. Përbindëshi i fundit i shenjtë i kinemasë. Nuk mund të heshtim më përballë linçimit mbi të, përballë përroit të urrejtjes që derdhet mbi personin e tij, pa nuancë, në shkrirjen më të plotë dhe në kundërshtim me një prezumimi të pafajësisë nga i cili do të kishte përfituar, si gjithë të tjerët, nëse nuk do të ishte gjiganti i kinemasë që është”, shkruajnë ata në këtë tekst.

“Kur ne sulmojmë Gerard Depardieu në këtë mënyrë, është arti që ne sulmojmë. Përmes gjeniut të tij si aktor, Gerard Depardieu kontribuon në ndikimin artistik të vendit tonë. (…) Çfarëdo që të ndodhë, askush nuk do të jetë në gjendje kurrë për të fshirë gjurmën e pashlyeshme të veprës së tij me të cilën shënohet përgjithmonë epoka jonë. Pjesa tjetër, gjithçka tjetër ka të bëjë me drejtësinë, vetëm drejtësinë. Ekskluzivisht”, shtojnë ata.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe anëtarët e familjes së aktorit, përfshirë vajzën e tij Julie, kishin folur tashmë publikisht për të mbrojtur Gerard Depardieu.

Transmetimi i fundit i një reportazhi për aktorin, në programin ”Complement d’investigation” në kanalin France 2, shkaktoi një valë tronditëse, me pasoja ndërkombëtare.

Në këto imazhe, Gerard Depardieu shumëfishon komentet mizogjene dhe fyese duke iu drejtuar grave dhe një vajze të vogël me vërejtje të natyrës seksuale.

Grupi France Télévisions të cilit i përket kanali siguroi të premten se ky pasazh i fundit ishte “autentikuar” nga një përmbarues.

Ky reagim erdhi pas deklaratave të kreut të shtetit që sugjeronte se sekuenca mund të ishte modifikuar gjatë montazhit, siç kishte pretenduar më parë familja e aktorit.

Që nga skandali, Gerard Depardieu është hequr nga Urdhri Kombëtar i Quebec dhe titulli i tij qytetar nderi i komunës Estaimpuis në Belgjikë, ndërsa statuja e tij prej dylli është hequr nga turi i muzeut të famshëm ”Grevin”, në Paris./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like