KINË – Scholz dhe Xi diskutojnë luftën në Ukrainë

by admin
Spread the love

BERLIN, 16 prill /ATSH-DPA/- Në ditën e fundit të vizitës treditore në Kinë, kancelari gjerman Olaf Scholz është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping në Pekin për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet gjeopolitike, me fokus luftën ruse në Ukrainë.

Pas më shumë se tre orë bisedimesh, Xi u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në luftë të kontribuojnë në uljen e tensioneve “në vend që t’i hedhin benzinë zjarrit”.

“Kina nuk është as palë dhe as pjesëmarrëse në krizën e Ukrainës”, tha Xi, i cili ka marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, udhëheqësi kinez nuk i premtoi Scholz se do të merrte pjesë në samitin e paqes në Zvicër të planifikuar në qershor.

“Xi do të mbështeste një konferencë të tillë ndërkombëtare vetëm nëse do të pranohej nga Rusia dhe Ukraina”, sipas një deklarate zyrtare.

Rusia ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në konferencë.

Kina, një fuqi bërthamore me një popullsi prej 1,4 miliardë banorësh, konsiderohet aleatja më e rëndësishme e Rusisë.

Perëndimi akuzon Kinën për furnizimin e Rusisë me mallra që mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe ushtarake, duke mbështetur kështu ekonominë ruse të luftës.

Scholz dhe Xi folën për tre orë e 20 minuta – një kohë jashtëzakonisht e gjatë.

Ata ranë dakord sërish se nuk duhet të përdoren armë bërthamore.

Xi foli për një “epokë të re turbulencash dhe trazirash”, në të cilën rreziqet për të gjithë njerëzimin do të rriteshin.

“Për të zgjidhur këto çështje, është thelbësore që të rritet bashkëpunimi midis fuqive të mëdha”, tha Xi.

Scholz dhe Xi theksuan se, pavarësisht mosmarrëveshjeve, ata donin të zgjeronin bashkëpunimin ekonomik.

“Ne nuk duam të shkëputemi nga Kina”, theksoi Scholz disa herë.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like