KIEV – Meloni në Ukrainë përpara videokonferencës së G7-ës

by admin
Spread the love

KIEV, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbërritur në kryeqytetin ukrainas Kiev, ndërsa liderët nga Evropa dhe e gjithë bota shprehin solidaritetin e tyre me rastin e dy vjetorit të pushtimit rus në Ukrainë.

Si kryetare në detyrë e grupit G7 të vendeve të industrializuara demokratike, Meloni do të kryesojë një videokonferencë të liderëve nga Kievi sot në mbrëmje.

Në takim do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky. Më pas do të lëshohet një deklaratë e përbashkët për shtyp.

G7 përfshin Italinë, SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Japoninë, Francën dhe Gjermaninë. Shumica e liderëve do t’i bashkohen takimit përmes lidhjes me video.

Sipas raportimeve të medias ukrainase, në Ukrainë ndodhet edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri i Belgjikës Alexander de Croo janë tashmë në Kiev.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like