Këshilltari i Kurtit në gjyq me Ramiz Merkon

by admin
Spread the love

Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti këtë të premte do të dal gjykatë me kryetarin e Strugës, Ramiz Merkon.

“Me Ramiz Merkon do të shihemi këtë të premte të datës 20 tetor në Gjykatën Themelore të Strugës. Gjykatë që pretendohet se është tërësish nën kontrollin dhe kthetrat e pushtetit absolut të kryetarit të Komunës, z. Ramiz Merko. Në këtë proces gjyqësor unë paditem nga z. Merko, sepse paskam shpifur kundër tij, kur kam deklaruar që ai është i korruptuar.

Ramiz Merko është kryetari i Komunës së Strugës, tashmë në mandatin e katërt, dhe padyshim ai është një nga politikanët më të korruptuar shqiptarë të Maqedonisë së Veriut por edhe të rajonit.

Sot, edhe pas fiks katër muajsh, qysh kur u shpall person non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion madhor, ai vazhdon jetën dhe veprimtarinë e tij politike sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Shkon në punë, takon ministra qeverie, pranon delegacione, jep leje ndërtimi, heq njerëz nga puna, ka shtuar bashkëpunimin me partitë e koalicionit, etj.

Nuk është aspak parabolë të thuhet se Ramiz Merko është mishërimi konkret e korrupsionit, krimit dhe imoralitetit të shoqërisë sonë të sotme.

Ai sot është simboli i dështimit total të shtetit të së drejtës, dështimit të moralit publik, dështimit të shtetësisë së Maqedonisë së veriut.

Për t’u nënvizuar është fakti, se përse DASH, në fushatën e saj të paralajmëruar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në rajon, përzgjodhi pikërisht Ramiz Merkon TË PARIN për ta vënë në Listën e Zezë? Rasti duhet të jetë aq i rëndë, sa jo vetëm atë, por bashkë me të është sanksionuar edhe bashkëshortja me fëmijët e tij të rritur. Departamenti i shtetit duhet të kenë parë dhe hetuar te veprimtaria e z. Merko një nivel tejet të lart rrezikshmërie për shoqërinë dhe rajonin e gjerë. Duhet të kenë vënë re se me pushtetin kriminal që ka z. Merko, shteti i brishtë i Maqedonisë së Veriut, drejtësia e saj e kapur tërësisht nga z. Merko dhe sëra e tij, janë tejet të paaftë për ta vënë para drejtësisë dhe ta ndëshkojë për atë veprimtari.

Në rajon, pas Vulinit, Radojçiqit në Serbi, Ramiz Merko bëhet pjesë e të njëjtave sanksione të SHBA-ve.

Ramiz Merko, përmes shtrirjes së veprimtarisë kriminale dhe korruptive të tij, duke vënë nën diktatin e tij të plotë të gjithë sistemin e drejtësisë, ndjehet aq i pushtetshëm në këtë pashallëkun e tij, saqë fare paturp e patëkeq ngriti padi kundre meje për shkak se deklarova që ai është njeri i korruptuar.

Me këtë padi kundër meje, ai tallet me qytetarin e ndershëm, përqesh shoqërinë në sy, tregohet cinik me drejtësinë dhe pështyn të gjithë normat morale të shoqërisë. Ai me këtë padi në gjykatën që e ka nën kthetrat e veta, ka dashur, me siguri, të më frikësojë mua, dhe përmes këtij shembulli, të frikësojë të gjithë qytetarët e tjerë të lirë të denoncojnë krimin dhe pisllëqet e pushtetarëve të korruptuar. Kjo metodë gestapoje shpesh bën fruta të hidhura.

Për seancën e të premtes, unë kam njoftuar edhe Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, dhe u kam bërë ftesë që të marrin pjesë në të. Të jenë dëshmitar okular të dështimit të sistemit të drejtësisë dhe ta konfirmojnë konkretisht denoncimin e DASH.

Në fund, unë e kam një dilemë sociale. Nëse një qytetar, kushdo qoftë ai, qoftë politikan, kryetar komune, biznismen etj. (keq)përdor gjykatën shtetërore për interesat personale për shkak të pushtetit politik apo financiar që ka, për të shantazhuar, kërcënuar, dënuar dhe dëmtuar një qytetar të thjeshtë, a quhet kjo vetëgjyqësi nga ana e të fortit? Nëse këtë mund ta quajmë vetëgjyqësi të personit me pushtet, a përligjet në këtë rast edhe vetëgjyqësia e viktimës?”, ka njoftuar Qoku.

You may also like