“Ka diferencë të madhe armatimi”, ushtria ukrainase tërhiqet nga Severodonetsk

by admin
Spread the love

Prej javësh analistët perëndimorë kishin paralajmëruar për mundësinë që qyteti strategjik i Severodonetsk nuk mund t’i rezistonte dot gjatë sulmeve ruse, nga momenti që Moska ka vendosur aty batalione të shtuar ushtarësh, si dhe qindra sisteme raketore.

Ditët e fundit, mundësia u pranua edhe nga autoritetet ushtarake ukrainase dhe tashmë po kthehet në realitetin e fushëbetejës.

Sipas vetë guvernatorit ushtarak të Luhanskut, Serhiy Haidai, shtabi i përgjithshëm i Kievit ka urdhëruar trupat ukrainase që ndodhen në qytet të tërhiqen në pozicione më të fortifikuara, duke u lënë rusëve kontrollin. Trupat e Moskës kontrollonin rreth 80% të qendrës së banuar, me rezistencën ukrainase që përqendrohej në zonën industriale, por taktika e re e gjeneralëve të Moskës, që parashikon bombardime të njëpasnjëshme të këtyre godinave, e bën të pamundur çdo tentativë mbrojtjeje.

“Sot trupat ndodhen të ndara në shumë drejtime, nuk ka kuptim të rrinë aty. Numri i viktimave rritet çdo ditë e më shumë. Ushtarët kanë marrë urdhër të tërhiqen duke luftuar në zona më të mbrojtura”.

Krerët ushtarakë ukrainas pohojnë ndërkohë që situata në të gjithë zonën e Donbasit, veçanërisht në Severodonetsk dhe Lysychansk, qyteti binjak që ndodhet nga ana tjetër e lumit Siversky Donets, është e vështirë. Kjo zonë po goditet prej ditësh nga një sulm raketor që nuk kursen asgjë. Me shumë mundësi, tërheqja e trupave ukrainase do të bashkojë në të njëjtin fat dy qytetet.

Sipas analistëve perëndimorë, me shumë mundësi pas kontrollit të këtyre dy qyteteve, lidershipi rus do të ndalojë avancimin të paktën për disa javë, në mënyrë për t’i dhënë frymëmarrje dhe ndërrimin e nevojshëm trupave të tyre, që kanë pësuar humbje domethënëse, si dhe do të përqendrohen në fortifikimin e linjës së kontrolluar, për të parandaluar një kundërsulm ukrainas, i mundësuar edhe nga armatimet e shumta perëndimore që po vërshojnë drejt Kievit.

You may also like