Josa: Kukësi-Vllaznia sfidë e rëndësishme për të dy skuadrat, na duhet stabilitet

by admin
Spread the love

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa ka folur për mediat në prag të ndeshjes së nesërme kundër Kukësit, që do të luhet në orën 13:00 dhe do të transmetohet në Oversport dhe Tibo.

“Unë nuk do ta shoh ndeshjen me momente, do ta shoh ndeshjen që luhet Kukësi-Vllaznia, ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat siç është edhe ndeshja e kampionatit për secilën skuadër, duke parë klasifikimin siç është ngjeshur në këtë mënyrë.

Kampionatin nuk mund ta quaj të dobët, por që ka rivalitet. Të gjithë ekipet kanë mësuar të luajnë futboll, lojtarët duket që janë më të ndërgjegjshëm për atë që japin në fushë, duke parë të gjitha skuadrat në përgjithësi. Ndaj do të jemi në këto ujëra gjatë të gjithë kampionatit. Problemi është që duhet të rritim stabilitetin tonë se personalitetin si skuadër e ka Vllaznia.

Por duhet të rritet besimi te individualitetet që ka kjo skuadër dhe të rritësh besimin është diçka shumë e lehtë, rritet qoftë me lojë, punë, stërvitje, duke bërë të gjithë gjërat që ne themi. Por nuk do të thotë që të gjithë gjërat që themi në letër dhe në teori, të dalin në fushë se luajmë me kundërshtarë.

Duhet ta shihni lojën si e shoh unë, jo ju, në anën profesionale. Ne kemi bërë gabime dhe i kemi parë shumë mirë si i kemi bërë, sidomos në dy ndeshjet ndaj Bylis dhe Erzenit, ka qenë thuajse një fotokopje e të dy ndeshjeve. Por unë them që problemi është më tepër psikologjik dhe personaliteti, ky personalitet na ka munguar. Nuk rritet, është ai që është dhe përbëhet nga individualet e lojtarëve që janë në përbërje të skuadrës.

Kukësi është skuadër e ndërtuar për të fituar, kështu ka qenë ndërtuar edhe kur isha unë në drejtimin e tij, nuk është mirë të merremi me të. Çdo skuadër që hyn në lojë, hyn në lojë për objektivat e veta dhe për çdo skuadër është të fitojë ndeshjen.

Futbolli i ka të gjitha brenda, por nuk do të thotë që të jemi të kënaqur me një pikë pasi jemi të sigurt se do të fitojmë tjetrën këtu. Kjo garanci mua nuk po më jepet. E kërkojmë, do ta gjejmë, besoj se me djemtë që kam në skuadër do ta gjejmë me patjetër”, ka thënë mes të tjerash Josa. / Oversport.tv

You may also like