Jam sëmurur 3 herë me kancer dhe kam 6 fëmijë. Ja çfarë kam mësuar për dashurinë – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Michele Cushatt

Në orën 7:53 të mëngjesit të 14 shkurtit, pas 23 orësh të kaluara mes dhimbjeve të lindjes, solla në jetë një djalë të shëndetshëm që peshonte mbi 4 kg. Duke qarë nga gëzimi nisa rrugëtimin tim të mëmësisë. Në gati 3 dekada që nga ajo kohë, në jetën time hynë edhe 5 fëmijë të tjerë, nga të cilët 3 i kam birësuar.

Për këtë arsye, Shën Valentinët e mi janë shoqëruar nga qirinjtë e ditëlindjes së tim biri dhe kutitë e dhuratave për të. Pra mungonte festimi intim i kësaj dite më partnerin. Por sot kjo nuk më shqetëson dhe aq. Sepse pikëpamjet e mia për dashurinë nuk janë të njëjta si dikur.

Unë nuk jam më ajo vajza adoleshente që ëndërroja të isha e lumtur përgjithmonë, dhe të isha në një marrëdhënie plot romancë dhe petale trëndafili. Ndërsa është e sigurt që martesa dhe bërja nënë i kanë maturuar pikëpamjet e mia për dashurinë, asgjë nuk e ndryshoi pikëpamjen time për dashurinë e vërtetë aq rrënjësisht sa kur zbulova se isha e sëmurë me kancer.

Dhe jo një, por tre herë. Isha 39 vjeç herën e parë kur një mjek më tha që kisha karcinomaskuamoze të gjuhës, pra kancer në gjuhës. As që e dija që ekzistonte një sëmundje e tillë, aq më tepër që isha një nënë e shëndetshme që nuk pinte duhan, që konsumonte rrallë alkool dhe që e kalonte kohën e lirë duke vrapuar të paktën 10 km në ditë.

Si mund të më ndodhte kjo? E megjithatë ndodhi. Një herë në të 30-at e mia, dhe 2 herë në të 40-at, teksa hera e fundit për pak sa nuk më mori jetën. Në kohën kur e mposhta kancerin e parë, iu nënshtrova shumë operacioneve, dhe një regjim trajtimi rraskapitës, dhe 2/3 e gjuhës sime ishin hequr, ashtu si shumë nyje limfatike dhe gjëndra.

Trupi im kishte pësuar transplantime të ndryshme të lëkurës, si dhe djegie nga rrezatimi nga hunda në gjoks, brenda dhe jashtë, nga një tub ushqimi që më ishte futur, një trakeostomi dhe shpirtërisht isha tërësisht e dërrmuar. Edhe pse dashuria mund të ta thyejë zemrën, po dashuria do ta shërojë atë.

Shpëtimi i jetës sime kërkonte që unë thuajse ta humbja atë. Megjithatë në këtë proces, mësova disa leksione të vështira, por të denja mbi atë që është thelbi i dashurisë së vërtetë, pra llojin e dashurisë që reziston dhe të siguron, edhe kur bota juaj po shkatërrohet.

Leksioni nr.1: Dashuria bart rreziqet e veta

Arsyeja pse filmat romantikë të Hollivudit shihen nga miliona njerëz, është se ne duam që dashuria të jetë e lehtë dhe ketë një fund të lumtur. Por në jetën reale, dashuria duket më pak si një film romantik dhe më shumë si një thriller (shpresojmë pa vrasje). Nganjëherë dashuria duket sikur sheh të mirën tek partneri, pavarësisht sjelljes së tij të keqe momentale. Por edhe adoptimi i tre fëmijëve me një histori të vështirë, kur sapo keni përfunduar rritjen e tre të parëve. Dhe ndonjëherë dashuria duket nga mënyra sesi i shkruani letra fëmijëve tuaj dhe bashkëshortëve të tyre të ardhshëm, duke e ditur se mund të mos jeni pranë për të përjetuar dasmat e tyre.

Dashuria nuk është si një film, dhe pleqëria dhe fundet e lumtura nuk janë të garantuara. Por dashuria e vërtetë shfaqet përkundër mundësisë së humbjes, ku frika dominon dhe guxon që të ndriçojë dritën e saj, pikërisht atje në errësirë.

Leksioni nr.2: Dashuria është një punë e vështirë

Ashtu si kopshtaria, dashuria është një proces mbjelljeje, mbrojtjeje, edukate, e shkuljes së barishteve të këqija dhe nëse jeni me fat i korrjes së fryteve. Është punë që të lodh kurrizin, të djersit dhe që nuk ka fund, pavarësisht nga moti. Por ju e bëni gjithsesi, sepse mundësia e së nesërmes varet nga mbjelljet e sotme.

Kështu që ju vazhdoni të përpiqeni, me shpresën e patundur se një ditë do të shihni një spec apo patëllxhan që del nga toka. Disa sezone japin pak të korra. Në raste të tjera, keni më shumë kunguj të njomë se sa mund ta shpresonit. Sido që të jetë, korrja kërkon të bëni duart pis. Është një proces i rrëmujshëm dhe që kërkon sërish djersë. Por pavarësisht nëse jeni pranë për të parë rezultatet apo jo, procesi i kultivimit është shpërblimi i tij.

Leksioni nr.3: Dashuria është e brishtë

Kur qëndroja pezull midis jetës dhe vdekjes, sëmundja nxori në pah pjesët më të vështira të vetes sime, duke zbuluar dobësitë që në rrethana të tjera do t’i kisha mbajtur të fshehura. E megjithatë, në atë vend të cënueshmërisë dhe poshtërimit tim, zbulova një përmasë të re të dashurisë.

Kjo është një dashuri e paarritshme për ata që duan të vetëmbrohen. Por për ata që kanë guximin të zbulojnë vetveten e tyre të vërtetë, dashuria ofron mundësinë e dhuratës më të madhe nga të gjitha: të shihesh, njihesh, të duan siç je. Në vend të një “Të dua”, dashuria e gjen fuqinë e saj të vërtetë në fjalët “Më fal” dhe “Të fal”.

Një psikolog më tha një herë: “Çfarëdolloj gjëje që është e lënduar në marrëdhënie, mund të shërohet vetëm brenda kësaj marrëdhënie”. Dashuria do t’ju thyejë zemrën, ky është një fakt.  Një ditë, edhe juve mund t’ju duhet të përballeni me sëmundje dhe në një të ardhme pa ata që doni, përfshirë fëmijën, që tashmë është bërë një burrë 26-vjeçar.

Perspektiva ndihet si e padurueshme, dhe megjithatë mënyra e vetme për të shmangur dhimbjen e dashurisë është të shmangni çdo dashuri. Pavarësisht lajmit të keq, nuk duhet të harrojmë lajmin më të mirë: Edhe pse dashuria mund të thyejë zemrën, do të jetë po ajo që do ta shërojë atë. Dashuria është shërimi që qetëson plagën, ngjitësi që i kthen copat në një të tërë dhe kura që të shëron edhe në rrethanat më të rënda. Jo sepse e ndryshon realitetin, por sepse na siguron që të mos jemi vetëm në të. / Fox News” – Bota.al

You may also like